Shala: Po të zgjaste lufta edhe dy javë, mund të kishte vdekje masive – rezervat ishin harxhuar

Nacionale

Drejtori i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka rrëfyer për operacionin e madh të shpërndarjes së ushqimit në Kosovë, vetëm pak ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në mars të vitit 1999. Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Shala tha se konvoji i fundit me ndihma ishte shpërndarë më 15 […]

Madhësia e shkronjave

Drejtori i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka rrëfyer për operacionin e madh të shpërndarjes së ushqimit në Kosovë, vetëm pak ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në mars të vitit 1999.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Shala tha se konvoji i fundit me ndihma ishte shpërndarë më 15 mars 1999, ndërsa në terren kishin shkuar rreth 20 mijë tonë, përkatësisht 20 milionë kilogramë ushqim.

“Ndihmat i shpërndamë më 15 mars, ishte konvoji i fundit. Rreth 20 mijë tonë, apo 20 milionë kilogramë ushqim, shkuan në terren”, deklaroi Shala.

Sipas tij, ushqimet ishin siguruar përmes Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara dhe ishin shpërndarë me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Shala tregoi se ndihmat ishin planifikuar për rreth 900 mijë qytetarë të zhvendosur brenda territorit të Kosovës.

Ai theksoi se shpërndarja përfundoi vetëm nëntë ditë para fillimit të bombardimeve, më 24 mars, ndërsa rezervat e siguruara u përdorën për ushqimin e popullsisë gjatë muajve të luftës.

“Para 24 marsit, në bashkëpunim me Programin Botëror të Ushqimit, ndihmat u shpërndanë për rreth 900 mijë njerëz të zhvendosur brenda Kosovës…Me këto ndihma janë ushqyer për dy muaj njerëzit që mbetën në Kosovë. Një milion shqiptarë kishin dalë jashtë, ndërsa ata që mbetën këtu u ushqyen me ato rezerva”, u shpreh Shala.

Sipas tij, ushqimi i shpërndarë para bombardimeve ndihmoi në shmangien e një katastrofe më të madhe humanitare. Megjithatë, rezervat ishin pothuajse të shteruara në përfundim të luftës.

“Kur jam kthyer, aktivistët më kanë treguar se, po të vazhdonte lufta edhe dy javë, mund të kishte vdekje masive, sepse rezervat ishin harxhuar”, deklaroi ai shkruan Telegrafi.

Shala tha se 20 mijë tonët e ushqimit ishin shpërndarë në të gjithë Kosovën sipas një plani mujor, me prioritet zonat e prekura nga luftimet dhe vendet ku ishte përqendruar popullsia e zhvendosur.

Ai vlerësoi se ky operacion dëshmon për rolin vendimtar të Shoqatës “Nëna Terezë”, aktivistëve të saj dhe organizatave ndërkombëtare në mbajtjen gjallë të popullsisë gjatë një prej periudhave më të rënda të historisë së Kosovës./Telegrafi/.