Jose Mourinho është rikthyer në stolin e Real Madridit me një mision të qartë, ta rikthejë klubin në majat e futbollit pas dy sezoneve të vështira, që shënuan fundin e epokës së Carlo Ancelottit dhe dështimet e mëvonshme të Xabi Alonsos dhe Alvaro Arbeloas.
Drejtuesit e klubit kanë vendosur t’ia besojnë sërish skuadrën trajnerit portugez, duke besuar se ai është njeriu i duhur për të rikthyer autoritetin, disiplinën dhe mentalitetin fitues në “Santiago Bernabéu”.
Katërmbëdhjetë vite pas largimit të tij, Mourinho mbetet po aq kërkues në aspektin profesional. Burime pranë klubit tregojnë se ai vazhdon të jetë i fiksuar pas detajeve, disiplinës dhe etikës së punës.
Që në javën e parë të përgatitjeve, ai organizoi tri ditë me nga dy seanca stërvitore, ndërsa lojtarët paraqiten në qendrën stërvitore “Valdebebas” dy orë përpara nisjes së stërvitjes.
Edhe pse seancat nuk zgjasin shumë, ato karakterizohen nga intensiteti i lartë, me punën me topin që mbetet prioriteti kryesor i trajnerit portugez.
Megjithatë, Mourinho nuk është më ai trajneri që kërkonte të impononte autoritetin me çdo kusht.
Sipas njerëzve që kanë punuar me të, ai tashmë synon më shumë konsensus dhe bashkëpunim me lojtarët, duke ruajtur standardet e larta, por me një qasje më të ekuilibruar.
“Jam këtu për të krijuar një kulturë pune, përgjegjësie dhe ambicieje. Më pëlqen ideja e të punuarit për Real Madridin, jo thjesht në Real Madrid. Me këtë frymë jam rikthyer”, deklaroi Mourinho për kanalet zyrtare të klubit.
Derisa të gjithë futbollistët t’i bashkohen ekipit pas pushimeve, Mourinho po i kushton vëmendje të veçantë lojtarëve të akademisë.
Ai beson se talentet e rinj duhet ta fitojnë vendin në skuadrën e parë me punë, ashtu siç ndodhi edhe gjatë mandatit të tij të parë në Madrid.
Portugezi vazhdon të jetë i njohur për përkushtimin maksimal ndaj profesionit, një karakteristikë që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij.
Një Mourinho më i qetë jashtë fushës
Në dallim nga periudha e parë te Real Madridi, kur ishte vazhdimisht në konflikt me gjyqtarët, Barcelonën dhe mediat, këtë herë Mourinho duket shumë më i përmbajtur.
Sipas njerëzve pranë tij, ai dëshiron të nisë një kapitull të ri, duke bashkuar klubin dhe duke shmangur përplasjet e panevojshme jashtë fushës.
Edhe vetë trajneri e ka pranuar se ka ndryshuar si person.
“Më parë mendoja më shumë për veten. Isha më egoist. Sot ndihem më altruist. Jam në futboll për të ndihmuar lojtarët e mi, klubin dhe tifozët më shumë sesa për të menduar për veten time”, kishte deklaruar Mourinho në një intervistë për UEFA-n.
Tani portugezi duhet ta dëshmojë edhe në praktikë këtë transformim. Disiplina, intensiteti dhe mentaliteti fitues mbeten të pandryshuara, por këtë herë Mourinho synon të ndërtojë një Real Madrid të bashkuar, ku autoriteti fitohet jo vetëm përmes kërkesave të larta, por edhe përmes besimit dhe respektit të ndërsjellë. /Telegrafi/






