John Stones do të jetë futbollisti më i ri i Interit. Mbrojtësi anglez ka arritur marrëveshje përfundimtare me klubin zikaltër dhe transferimi është mbyllur, sipas raportimeve të disa mediave.
Marrëveshja për kushtet e kontratës është aprovuar dhe gjithçka është konfirmuar. Reprezentuesi anglez do të nënshkruajë kontratë deri në qershor të vitit 2028, pa opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër.
Stones do të përfitojë rreth 4 milionë euro neto në sezon, ndërsa pritet që së shpejti t’i nënshtrohet testeve mjekësore në Milano përpara zyrtarizimit të transferimit.
Mbrojtësi 31-vjeçar largohet nga Manchester City pas një dekade të kaluar në “Etihad”. Kontrata e tij me kampionin anglez përfundoi më 30 qershor dhe ai u bë lojtar i lirë, duke i hapur rrugë një sfide të re jashtë Ligës Premier.
Për shërbimet e Stones kishte interesim edhe nga Juventusi, ndërsa në garë ishin edhe disa klube angleze si Chelsea dhe Arsenali. Megjithatë, mbrojtësi preferoi një eksperiencë të re dhe zgjodhi Interin si destinacionin e radhës në karrierën e tij.
Gjatë qëndrimit te Manchester City, Stones u bë pjesë e një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit, duke fituar trofe të shumtë, përfshirë tituj të Ligës Premier dhe Ligën e Kampionëve. Tani ai do të provojë një kapitull të ri në Serie A, me fanellën e Interit. /Telegrafi/






