Deklaratat e Jude Bellingham pas fitores së Anglisë ndaj Norvegjisë në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 vazhdojnë të shkaktojnë reagime. Mesfushori anglez nuk u pajtua me kritikat e trajnerit Thomas Tuchel, por tani në mbështetje të teknikut gjerman ka dalë ish-mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos.
Pas triumfit 2-1 pas vazhdimeve, Tuchel e cilësoi paraqitjen e Anglisë si “të pakujdesshme” dhe pranoi se skuadra e tij pati edhe fat. Bellingham reagoi duke deklaruar se trajneri “nuk e di se çfarë do të thotë të luash kundër një skuadre të fortë si Norvegjia”.
Kroos, duke folur në TikTok, mbrojti qartë Tuchelin dhe theksoi se trajneri ka të drejtë të analizojë paraqitjen e ekipit të tij.
“Kush, nëse jo trajneri, ka të drejtë të thotë se çfarë nuk funksionoi? Sidomos kur ai kishte kaluar vetëm dy minuta duke folur për mentalitetin e jashtëzakonshëm të ekipit”, tha Kroos.
Legjenda gjermane shtoi se kritikat e Tuchelit ishin plotësisht të justifikuara.
“Thomas Tuchel kishte absolutisht të drejtë pas ndeshjes kur tha se nuk luajtën mirë. Tani do të përballeni me Argjentinën dhe më pas me Spanjën. Nuk do të fitosh edhe dy ndeshje vetëm me fat ose vetëm me mentalitet. Ke një trajner që di si fitohen ndeshjet eliminatore, sepse e ka dëshmuar këtë vazhdimisht në futbollin e klubeve”, u shpreh ai.
Në fund, Kroos foli edhe për kushtet e vështira atmosferike në Miami, ku u zhvillua sfida me Norvegjinë.
“Kam qenë disa herë në Miami, është një nga vendet më të pakëndshme. Lagështia është e padurueshme. Kur ke luajtur 120 minuta në ato kushte, do të dëgjosh gjithçka tjetër përveç se ke qenë katastrofë, veçanërisht nëse je kualifikuar. Prandaj është normale që acarohesh pak”, përfundoi Kroos. /Telegrafi/






