Restauratori i njohur Ceren Ismet Shehu ka reaguar me një mesazh prekës pas ndarjes nga jeta të alpinistit Erkin, duke kujtuar miqësinë e tyre të hershme dhe dashurinë që ai kishte për malin.
Përmes një postimi në Facebook, Shehu shkruan se e kishte të vështirë të besonte humbjen e mikut të tij, me të cilin kishte ndarë një miqësi që nga fëmijëria.
“Sot ma theve zemrën o Erkin! Nuk besoja se ti do ikje o Erkin, se ti malin e ke shtëpinë tënde dhe unë shpresën e kisha që ti do ja dilje. Por s’paska qenë e shkruar!”, ka shkruar ai.
Shehu kujton se ata ishin shokë që nga klasa e parë, kur jetonin në Farkë, dhe se, pavarësisht ftesave të vazhdueshme të Erkinit për ta shoqëruar në ngjitjet malore, ai nuk kishte arritur kurrë ta bënte këtë.
“Që nga klasa e parë, kur jetonim në Farkë, nuk u ndamë kurrë. Por, edhe pse ti më ftoje gjithmonë, asnjëherë nuk munda të vij me ty nëpër male”, shkruan ai.
Në reagimin e tij, Shehu thekson se mali ishte vendi ku miku i tij gjente qetësi dhe lidhje shpirtërore me Zotin.
“Ti i doje malet më shumë se sa ato të deshën ty. Për ty, mali ishte prehja jote, aty ku edhe i faleshe Zotit. Dhe njerëzit e mirë si ti, Zoti i merr pranë vetes”, shprehet ai.
Ai rrëfen se do ta ketë gjithmonë peng që nuk arriti ta plotësonte dëshirën e Erkinit për të shkuar së bashku në male.
“E kam peng dhe do të më mbetet gjithmonë që nuk ta plotësova dëshirën për të ardhur në male me ty. Ndoshta në një jetë tjetër do të vij dhe do të bëj atë që ti doje, vëlla”, ka shkruar Shehu.
Në fund të mesazhit të tij, ai i jep lamtumirën mikut me fjalët: “O Erkin, ma këpute zemrën! Qofsh i Xhenetit, vëllai im.”






