Mahmut Orhan ka performuar për herë të parë në Prishtinë më 4 korrik, duke sjellë një natë të mbushur me energji dhe atmosferë të jashtëzakonshme në kryeqytet.
Debutimi i tij në Kosovë u prit me interes të madh nga publiku, i cili e mbushi hapësirën e koncertit dhe krijoi një atmosferë që u ndez që në minutat e para të setit.

Orhan, i njohur për kombinimin e muzikës elektronike me elemente melodike, solli disa nga hitet e tij më të mëdha, duke mbajtur publikun në lëvizje dhe në ritëm gjatë gjithë mbrëmjes.
Një nga momentet më të veçanta të koncertit ishte kur DJ përfshiu në set hitin e artistes së njohur Tayna, “Si ai”, çka solli reagim të menjëhershëm dhe entuziazëm të madh nga publiku.
Duke qenë se Tayna është nga Kosova, ky moment u prit si një ‘highlight’ i veçantë i natës, duke e bërë atmosferën edhe më të ndezur dhe emocionale për të pranishmit.
Publiku reagoi fuqishëm gjatë gjithë performancës, ndërsa kombinimi i muzikës elektronike dhe energjisë lokale e shndërroi koncertin në një nga netët më të veçanta të verës në Prishtinë.
Debutimi i Mahmut në Kosovë u mbyll me duartrokitje të gjata dhe një atmosferë që vazhdoi edhe pas përfundimit të setit. /Telegrafi/





