Gjermania planifikon të shfuqizojë pushimin mjekësor pa vërtetim, kundërshtohet ashpër nga mjekët

Bota

Qeveria e koalicionit në Gjermani ka paralajmëruar ndryshime në rregullat për pushimin mjekësor, sipas të cilave punonjësit do të duhet t’i dorëzojnë punëdhënësit vërtetimin mjekësor që në ditën e parë të sëmundjes. Ky propozim ka nxitur reagime të shumta politike dhe kundërshtime nga komuniteti mjekësor. Sipas rregullave aktuale, një punonjës duhet të paraqesë vërtetim mjekësor […]

Madhësia e shkronjave

Qeveria e koalicionit në Gjermani ka paralajmëruar ndryshime në rregullat për pushimin mjekësor, sipas të cilave punonjësit do të duhet t’i dorëzojnë punëdhënësit vërtetimin mjekësor që në ditën e parë të sëmundjes.

Ky propozim ka nxitur reagime të shumta politike dhe kundërshtime nga komuniteti mjekësor.

Sipas rregullave aktuale, një punonjës duhet të paraqesë vërtetim mjekësor vetëm nëse mungesa për shkak të sëmundjes zgjat më shumë se tre ditë, pra nga dita e katërt. Megjithatë, punëdhënësit kanë të drejtë ta kërkojnë atë edhe më herët. Me planin e ri do të hiqet edhe mundësia që pushimi mjekësor të merret përmes telefonit, një praktikë e vendosur gjatë pandemisë së COVID-19.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se numri i ditëve të pushimit mjekësor në Gjermani është “tepër i lartë”, shkruan reuters.

“Ky është një vendim i vështirë, por nuk mund ta përballojmë më këtë disavantazh konkurrues të shkaktuar nga periudhat e gjata të mungesës në punë”, tha Merz. Ai shtoi se vendi po rikthehet te rregullat që ishin në fuqi para pandemisë, ndërsa kompanitë do të kenë mundësinë të bien dakord për zgjidhje të ndryshme me punonjësit.

Plani është dakorduar nga Unioni Kristian-Demokrat (CDU) i Merzit dhe partneri i koalicionit, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë. Kreu i grupit parlamentar të CDU-së, Jens Spahn, mbrojti propozimin duke theksuar se Gjermania ka një nga normat më të larta të pushimeve mjekësore në Bashkimin Evropian, me rreth 18 ditë mungesë në vit për çdo të punësuar.

Shoqatat mjekësore reaguan ashpër ndaj nismës. Shoqata Kombëtare e Mjekëve të Sigurimeve Shëndetësore (KBV) deklaroi se detyrimi i mijëra pacientëve të paraqiten në ordinanca vetëm për të marrë një formular është “në kufijtë e absurditetit”. Sipas tyre, personat me kollë ose infeksione gastrointestinale duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe jo të presin në ambulanca të mbushura me njerëz.

Pas reagimeve, përfaqësues të SPD-së u përpoqën të zbusin debatin. Zëvendëskancelari Lars Klingbeil tha se synohen zgjidhje të zbatueshme, ndërsa ministrja e Punës Bärbel Bas njoftoi se do të shqyrtohet nëse detyrimi për vërtetim mjekësor që nga dita e parë sjell rezultate apo vetëm krijon vështirësi shtesë.

Ndryshimet janë pjesë e një pakete më të gjerë reformash në fushën e taksave, tregut të punës dhe pensioneve, me synim rigjallërimin e ekonomisë gjermane. /Telegrafi/