Një skemë me shitjen e hekurit të mbeturinave dyshohet se i ka shkaktuar dëm prej mbi 3.3 milionë denarësh (54.263 euro) “Kombinatit të Duhanit” në Prilep. Për rastin, SPB Manastir ka ngritur kallëzime penale ndaj tre personave dhe një kompanie, për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të MPB-së, i dyshuari i parë, L.B., 59 vjeç nga Prilepi, në vitet 2021/2022 ka punuar si koordinator i grupit për sigurim në SHA “Kombinati i Duhanit”, ndërsa K.S., 60 vjeç, në të njëjtën periudhë ka qenë drejtor ekzekutiv i përgjithshëm. I treti, J.D., 41 vjeç, është pronar dhe administrator i një kompanie nga fshati Konjara e Vogël, e autorizuar për blerjen dhe shitjen e materialeve të mbeturinave.
Sipas MPB-së, ngjarja dyshohet se ka nisur në tremujorin e parë të vitit 2022. Me propozim verbal të atëhershëm të drejtorit ekzekutiv, L.B. dyshohet se ka marrë përsipër shitjen e mbeturinave, edhe pse këtë detyrë duhej ta kryente referenti për menaxhimin e mbeturinave.
Në shkurt të vitit 2022, dyshohet se ai, me ndihmën e J.D., ka fshehur të paktën 185 mijë kilogramë hekur të mbeturinave nga njësia e punës “Zavodi-Majuçishte”. Hekuri, sipas hetimit, nuk është regjistruar në llogaritë e “Kombinatit të Duhanit”, por është dorëzuar dhe blerë nga kompania në Konjarë të Vogël me një çmim dy denarë më të lartë për kilogram.
“Në vend që mjetet të derdheshin në llogarinë e SHA ‘Kombinati i Duhanit’ – Prilep, nga personi juridik nga fshati Konjarë e VOgël, janë përpiluar fletë fiktive blerjeje për hekurin e dorëzuar, mesatarisht rreth 25 mijë kilogramë për person, në emër të tetë personave fizikë, persona të afërt me të dyshuarin e parë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas policisë, paratë më pas janë transferuar në llogaritë bankare të shtatë personave fizikë, si dhe në llogarinë personale të L.B. Pas tërheqjes së parave në cash, ata dyshohet se ia kanë dorëzuar ato të dyshuarit të parë. Në këtë mënyrë, në llogaritë e personave të përfshirë janë transferuar gjithsej 3.338.328 denarë, shumë për të cilën, sipas MPB-së, është dëmtuar Kombinati.Nga ana tjetër, për shitjen e hekurit të mbeturinave, “Kombinatit të Duhanit” i janë paguar gjithsej 1.274.560 denarë nga kompania në Konjar të Vogël.
SPB-Manastir ka ngritur kallëzim penal ndaj L.B. për “përvetësim në shërbim”, “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”; ndaj K.S. për “punë të pandërgjegjshme në shërbim”; ndaj J.D. për “fshehje” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”, ndërsa ndaj personit juridik për veprën penale “fshehje”, njofton MPB.






