Eliminimi i hershëm nga Kupa e Botës pas humbjes ndaj Paraguait në penallti (5-4) ka lënë shije të hidhur te Gjermania, por në të njëjtën kohë ka hapur diskutimet për një fillim të ri para Kampionatit Evropian 2028.
Në Gjermani po flitet gjithnjë e më shumë për një revolucion të plotë, me një trajner të ri dhe me një brez të ri futbollistësh që mund ta rikthejnë “Mannschaft”-in në majat e futbollit evropian dhe botëror.
Në Gjermani po shtohen zërat se largimi i Julian Nagelsmann është i pashmangshëm, ndërsa kandidati kryesor për ta pasuar atë shihet legjendari Jürgen Klopp.
Nëse DFB vendos për një revolucion të plotë, atëherë emra si Antonio Rudiger, Leon Goretzka, Pascal Gros dhe Leroy Sane mund të mos jenë më pjesë e projektit të ri.

Pas një tjetër zhgënjimi të madh në Kupën e Botës, Gjermania duket gati të nisë një epokë të re, me shpresën se Euro 2028 do të shënojë rikthimin e saj në elitën e futbollit evropian.
Pas tërheqjes përfundimtare të legjendës Manuel Neuer, ndërsa edhe Oliver Baumann është drejt fundit të karrierës së tij ndërkombëtare, Gjermania po përgatit një brez të ri portierësh.
Emra si Jonas Urbig, Noah Atubolu dhe Mio Backhaus konsiderohen e ardhmja e portës gjermane, me Urbig që shihet si kandidati kryesor për numrin një nëse siguron vendin e titullarit te Bayern Munich.
Krahët e mbrojtjes ishin një nga pikat më të dobëta të Gjermanisë në Botëror. Për këtë arsye, emra si Josha Vagnoman dhe Philipp Treu po përmenden si zgjidhje të reja.
Në anën e majtë, Nathaniel Brown ka fituar besimin e tifozëve, ndërsa Luca Netz mund të marrë një shans nëse vazhdon të shkëlqejë në nivel klubesh.
Në qendër të mbrojtjes, partneriteti mes Jonathan Tah dhe Nico Schlotterbeck pritet të mbetet baza e ekipit.
Kapiteni Joshua Kimmich pritet të rikthehet në mesfushë, ku mund të formojë një dyshe me Aleksandar Pavlovic.
Alternativa të tjera për këtë repart janë Felix Nmecha, Assan Ouedraogo dhe Tom Bischof, të cilët konsiderohen pjesë e së ardhmes së kombëtares.
Pavarësisht Botërorit jo shumë të suksesshëm, cilësia e Jamal Musiala dhe Florian Wirtz nuk vihet në dyshim.
Në sulm, Gjermania ka gjithashtu alternativa të shumta, me emra si Lennart Karl, Said El Mala, Kevin Schade dhe Jamie Leweling.
Ndërkohë, në qendër të sulmit po trokasin në derë Nicolo Tresoldi dhe Dzenan Pejcinovic, ndërsa edhe Kai Havertz dhe Nick Woltemade mbeten pjesë e planeve. /Telegrafi/





