Mjekët dyshuan për tumor në tru, por MRI zbuloi parazitë: Rasti i rrallë që befasoi specialistët

shendetesi

Dhimbja e kokës dukej si shenjë e një diagnoze të rëndë, derisa një ekzaminim më i detajuar ndryshoi gjithçka Kur në imazherinë e trurit shfaqen disa ndryshime të shoqëruara me ënjtje, një nga dyshimet e para të mjekëve shpesh është prania e metastazave nga një tumor malinj. Pikërisht kjo ndodhi edhe me një burrë 60-vjeçar […]

Madhësia e shkronjave

Dhimbja e kokës dukej si shenjë e një diagnoze të rëndë, derisa një ekzaminim më i detajuar ndryshoi gjithçka

Kur në imazherinë e trurit shfaqen disa ndryshime të shoqëruara me ënjtje, një nga dyshimet e para të mjekëve shpesh është prania e metastazave nga një tumor malinj. Pikërisht kjo ndodhi edhe me një burrë 60-vjeçar nga Spanja, i cili iu drejtua mjekëve për shkak të një dhimbjeje të vazhdueshme koke dhe ndryshimeve të lehta në sjellje. Megjithatë, ajo që në fillim dukej si tumor në tru, doli të ishte një infeksion i rrallë parazitar.

Burri kishte dy javë që vuante nga një dhimbje koke gjithnjë e më e fortë, ndërsa familjarët kishin vërejtur se ai po sillej ndryshe nga më parë. Ekzaminimi neurologjik tregoi vetëm një ngadalësim të lehtë të lëvizjeve, ndërsa analizat laboratorike në përgjithësi rezultuan normale. E vetmja vlerë e rritur ishte ajo e imunoglobulinës E (IgE), e cila mund të tregojë reaksione alergjike, por edhe prani të një infeksioni parazitar.

Tomografia e kompjuterizuar (CT) e trurit zbuloi disa ndryshime në zona të ndryshme të trurit, të shoqëruara me ënjtje. Për shkak të këtij rezultati, mjekët fillimisht dyshuan për karcinomë metastatike.

Për të gjetur tumorin primar, mjekët kryen diagnostikim të gjerë. Pacienti iu nënshtrua CT-së së të gjithë trupit me kontrast, kolonoskopisë dhe ekzaminimit PET/CT, i cili shpesh përdoret për zbulimin dhe vlerësimin e përhapjes së sëmundjeve malinje. Rezultatet ishin të papritura: asnjë nga ekzaminimet nuk tregoi prani të tumorit.

Vetëm pas kryerjes së rezonancës magnetike (MRI) të trurit diagnoza u bë e qartë. Në vend të ndryshimeve tumorale, imazhet më të detajuara treguan larva të kapsuluara të tenies, ndërsa në disa lezione dalloheshin qartë edhe “kokat” e tyre, të ashtuquajturat skolekse, karakteristike për këtë lloj paraziti, transmeton Telegrafi.

A) CT e kokës pa kontrast, ku shihen disa lezione brenda indit të trurit, të shoqëruara me ënjtje përreth. B) MRI e trurit me kontrast, që tregon disa lezione me pamje unazore. C) MRI T2-FLAIR, ku dallohen lezione cistike me struktura të vogla nodulare brenda tyre, të cilat sugjerojnë praninë e “kokës” së parazitit, të quajtur skoleks, me edemë të theksuar përreth.

Parazitët në tru mund të ngjajnë me metastaza

Mjekët vendosën diagnozën e neurocisticerkozës, një sëmundje që shfaqet kur larvat e tenies së derrit (Taenia solium) arrijnë në sistemin nervor qendror. Analizat shtesë laboratorike treguan se organizmi i pacientit kishte krijuar antitrupa kundër këtij paraziti, duke e konfirmuar diagnozën.

Neurocisticerkoza mund të shkaktojë kriza epileptike, deficite neurologjike, çrregullime të kujtesës, goditje në tru ose komplikime të tjera serioze. Megjithatë, te disa persona simptomat mund të jenë shumë të lehta ose të mungojnë plotësisht, varësisht nga vendi ku janë vendosur larvat në tru.

Taenia solium mund ta infektojë njeriun në dy mënyra.

Mënyra e parë është konsumimi i mishit të derrit të papërpunuar mirë termikisht, i cili përmban larva. Në këtë rast, në zorrë zhvillohet tenia e rritur.

Mënyra e dytë, shumë më e rrezikshme, është gëlltitja e vezëve mikroskopike të parazitit, të cilat mund të përfundojnë në ushqim ose ujë përmes kontaminimit fekal. Nga vezët zhvillohen larvat, të cilat kalojnë përmes murit të zorrëve, hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe mund të arrijnë në organe të ndryshme, përfshirë edhe trurin.

Si u infektua një njeri që nuk kishte udhëtuar kurrë?

Ajo që e bëri këtë rast veçanërisht interesant ishte fakti se pacienti nuk kishte udhëtuar kurrë në vende ku ky infeksion është i shpeshtë.

Mjekët supozojnë se ai mund të jetë infektuar gjatë punës në ndërtimtari, ku për vite me radhë kishte qenë në kontakt me punëtorë që vinin nga zona ku Taenia solium është e përhapur. Mendohet se transmetimi ka ndodhur më së shumti përmes ushqimit ose hapësirave të përbashkëta sanitare, përkatësisht përmes rrugës fekalo-orale, si pasojë e higjienës së pamjaftueshme.

Diagnoza në kohë mund të parandalojë procedurat e panevojshme

Pacienti u trajtua me kombinimin e dy barnave antiparazitare dhe u rikuperua me sukses. Autorët e këtij raporti theksojnë se përvoja e tyre tregon sa e rëndësishme është që mjekët të mendojnë edhe për shkaqe më të rralla të ndryshimeve në tru.

“Mungesa e udhëtimeve në zona endemike nuk duhet ta përjashtojë automatikisht neurocisticerkozën nga diagnozat e mundshme te pacientët me lezione të shumta unazore në tru, madje as në vendet ku karcinoma metastatike është shumë më e mundshme”, kanë theksuar autorët e punimit.

Ata shtojnë se njohja më e hershme e kësaj sëmundjeje mund t’i kursejë pacientët nga procedurat e panevojshme onkologjike dhe të mundësojë fillimin më të shpejtë të terapisë së duhur antiparazitare. /Telegrafi/