Çmontohet banda e trafikut të drogës në Mykonos, koka e grupit ishte një 37-vjeçar shqiptar – drogën e transportonin me makinat e një kompanie turistësh
Policia greke ka goditur një bandë të trafikut të narkotikëve në ishullin e Mykonos, e cila drejtohej nga një shtetas shqiptar.
Burime policore thonë se sekuestruan sasi kokaine dhe lëndë të tjera narkotike, raporton Tch.
Sipas burimeve policore, koka e trafikut të kokainës ishte E.A 37-vjeç, i cili u arrestua së bashku me bashkëjetuesen e tij, një shtetase rumune, shkruan TCH.
E.A njihej si biznesmen në ishullin kozmopolit grek.
Tch njofton tutje se gjatë një operacionit u arrestuan pesë anëtarë të grupit, ndërsa autoritetet vlerësojnë se fitimet e paligjshme nga aktiviteti kriminal arrijnë në rreth 700 mijë euro.
Sipas njoftimit të Policisë Greke, automjetet e një kompanie përdoreshin jo vetëm për transportin e anëtarëve të organizatës, por edhe për shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht në Mykonos dhe në zonat me fluks të lartë turistësh. Mediat greke raportojnë se grupi kishte nisur aktivitetin kriminal në mesin e muajit prill.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në banesa dhe ambiente të përdorura nga organizata në Mykonos, Pire dhe Perama, policia sekuestroi rreth 4.5 kilogramë kokainë, kokainë rozë, kanabis, tableta me substanca farmaceutike, ketaminë dhe kërpudha halucinogjene.
Sipas autoriteteve greke, 37-vjeçari shqiptar ishte organizatori dhe koordinatori i aktivitetit kriminal. Ai dyshohet se siguronte furnitorët, menaxhonte vendet ku fshihej droga, organizonte transportin, ruajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, si edhe administronte një pjesë të të ardhurave të paligjshme.
Ndërkohë një 38-vjeçar konsiderohet zëvendësi i tij dhe kishte rol në ruajtjen e drogës, shpërndarjen e saj dhe menaxhimin e fitimeve. Ndërkohë, një 39-vjeçar merrej me magazinimin e narkotikëve, sigurimin e klientëve dhe ruajtjen e parave të përfituara nga shitjet.
Dy anëtarët e tjerë të grupit, një 25-vjeçar dhe një grua 38-vjeçare, dyshohet se ishin të përfshirë në ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës, si edhe në mbikëqyrjen e vendeve ku fshiheshin lëndët narkotike.






