Policia e Kosovës mirëpret rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026, sipas të cilës 85.6 përqind e qytetarëve kanë shprehur besim në Policinë e Kosovës, duke e renditur atë si institucioni me nivelin më të lartë të besimit publik në Republikën e Kosovës së bashku me FSK-në.
Sipas një njoftimi thuhet se ky rezultat përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të zyrtarëve policorë, të cilët çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve për garantimin e rendit publik, sigurisë dhe sundimit të ligjit.

“Besimi i qytetarëve është themeli i punës policore dhe një tregues i drejtpërdrejtë i partneritetit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe komunitetit. Ky besim është inkurajim për punë policore me përkushtim, në përmbushjen e misionit tonë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të jetës, pronës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se rezultatet e anketës tregojnë gjithashtu se qytetarët vazhdojnë ta konsiderojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit ndër prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit.
“Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve vlerësojnë se forcimi i zbatimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit duhet të mbeten në fokus të përpjekjeve institucionale, duke reflektuar pritjet e qytetarëve për institucione të fuqishme, profesionale dhe të përgjegjshme”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin dhe veprat e tjera penale që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Përmes përdorimit të praktikave bashkëkohore policore të policimit të udhëhequr nga inteligjenca dhe policimit në bashkësi, partneritetit me qytetarë, transparencës institucionale, zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, ne do të vazhdojmë të forcojmë sundimin e ligjit dhe sigurinë publike në vend.
Policia e Kosovës shpreh mirënjohje për besimin e treguar, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve, institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë në përmbushjen e objektivave të përbashkëta si dhe do të vazhdojmë të punojmë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë për garantimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit. /Telegrafi/





