Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, por ka bërë të qartë se nuk do të mbështesë kandidatura që vijnë si propozime të një partie të vetme.
I pyetur nëse LDK-ja do ta votonte Feride Rushitin në rast se ajo do të propozohej nga Lëvizja Vetëvendosje për presidente të Kosovës, Abdixhiku tha se fillimisht duhet të ketë diskutime të gjera mes partive politike për figurën që do ta udhëheqë shtetin.

“Natyrisht që propozimet partiake janë të refuzueshme. Propozimet duhet të vijnë në bazë të diskutimeve të plota, të hollësishme për figurën e presidentit të ardhshëm të Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK-ja është e gatshme të ulet dhe të bisedojë për një emër konkret, por vetëm nëse kandidati gëzon mbështetje të gjerë politike dhe përfaqëson unitetin e vendit.
Sipas Abdixhikut, presidenti i ardhshëm duhet të mbrojë Republikën dhe Kushtetutën, e jo të shërbejë si instrument i një partie politike për kontrollin e institucioneve shtetërore.
Deklarata e tij vjen në një periudhë kur emri i Feride Rushitit është rikthyer në diskutimet politike, pasi ajo ishte një nga kandidatet për presidente në prill të këtij viti. Megjithatë, procesi i zgjedhjes së presidentit dështoi dhe vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, LDK-ja ka bërë të ditur se, për të zhbllokuar situatën politike, ka hequr dorë nga kërkesat për pjesëmarrje në Qeveri, për postin e kryetarit të Kuvendit dhe për udhëheqjen e Presidencës, duke u shprehur e gatshme për një president konsensual./Telegrafi.





