Ngjyra e veturës zakonisht shihet si çështje estetike, por studimet tregojnë se ajo mund të ketë ndikim edhe në temperaturën brenda kabinës dhe, në mënyrë indirekte, në konsumin e karburantit gjatë muajve të nxehtë.
Veturat me ngjyra të errëta, sidomos e zeza, thithin më shumë rrezet e diellit dhe nxehen më shpejt. Si rezultat, temperatura brenda kabinës rritet, ndërsa sistemi i klimës duhet të punojë më shumë për ta ftohur automjetin. Kjo mund të çojë në përdorim më të madh të energjisë dhe rritje të konsumit të karburantit.

Nga ana tjetër, ngjyrat e çelëta si e bardha ose argjendi reflektojnë më shumë rrezet e diellit dhe ndihmojnë që vetura të mbetet më e freskët.
Një hulumtim i laboratorit amerikan Lawrence Berkeley ka treguar se një veturë me ngjyrë argjendi kërkonte më pak energji për ftohje krahasuar me një veturë të zezë, pasi temperatura në kabinë ishte më e ulët.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ndikimi i ngjyrës është shumë më i vogël krahasuar me faktorë të tjerë që ndikojnë në konsum, si mënyra e vozitjes, presioni i gomave, pesha e veturës, mirëmbajtja dhe përdorimi i klimës.
Pra, nëse dikush po blen një veturë të re dhe dëshiron kursim maksimal gjatë verës, një ngjyrë më e çelët mund të ndihmojë pak, por zgjedhja e motorit, efikasiteti i veturës dhe stili i vozitjes mbeten faktorët kryesorë që përcaktojnë konsumin. /Telegrafi/





