Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq ka reaguar përmes një postimi në platformën X, duke ngritur shqetësime lidhur me efektivitetin e së drejtës për apelim në rastet që kanë të bëjnë me standardet e gjykimit të drejtë.
Sipas Mishetiq gjatë vlerësimit të efektivitetit të së drejtës për të apeluar shkeljet e mundshme të standardeve të gjykimit të drejtë, duhet të merret parasysh konteksti i përgjithshëm i procesit gjyqësor.

“Konteksti duhet të merret në konsideratë gjatë shqyrtimit të efektivitetit të së drejtës për të apeluar shkeljet e standardeve të gjykimit të drejtë. Të pandehurit në çështjen Thaçi etj. për krime lufte kanë iniciuar 37 apele të ndërmjetme dhe secila prej tyre është refuzuar nga Paneli i Apelit”, ka shkruar ai në X.
Me këtë deklaratë, avokati i Thaçit ka lënë të kuptohet se mbrojtja ka shqetësime për mënyrën se si janë trajtuar ankesat e paraqitura gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Telegrafi/





