Nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili ka folur për mediat në lidhje me kërkesën e Këshilltarëve të AKI-së për seancë urgjente të këshillit, për të diskutuar mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emërtimeve shqip të rrugëve dhe shesheve të Tetovës.
Ai tha se këto veprime janë të organizuara nga BDI dhe Gjykata Kushtetuese, sepse vendimi i vitit 2007 për emërtimin e rrugëve shqip, ka qenë vendim gjysmak nga BDI, teksa tani do të regjistrohen sipas ligjit.
“Këto veprime janë të organizuara nga BDI dhe Gjykata Kushtetuese. Po shfuqizohet një vendim i vitit 2007, që realisht nuk ka qenë kurrë në fuqi, sepse ato emra shqip nuk kanë qenë të regjistruara askund ashtu. Nuk e di pse po reagon BDI dhe atë për Komunën e Tetovës, le të reagojnë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Këto veprime janë defokusim nga një moment kur ne po punojmë për zgjidhjen e duhur të kësaj çështje, kur po finalizojmë emërtimin e rrugëve sipas ligjit, sipas vendimit të Këshillit por dhe miratimit nga qeveria”, tha Qamili.
Ai sqaroi se me punën e komisionit që ka formuar Komuna për këtë çështje, do të rikthehen emrat e rrugëve që janë nga vendimi i vitit 2007 por që nuk janë zbatuar e poashtu do të emërtohen edhe rrugë të tjera më emra të rinj. /Telegrafi






