Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mbetet një ndër shtyllat e rëndësishme të sistemit shëndetësor në vend, duke ofruar kujdes të specializuar dhe shërbime gjithëpërfshirëse për gratë dhe të porsalindurit.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se gjatë periudhës janar – 15 qershor 2026 në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës janë realizuar gjithsej 4,423 lindje. Prej tyre, 3,090 kanë qenë lindje spontane, ndërsa 1,333 lindje janë kryer me prerje cezariane.

“Në këtë periudhë, ekipet profesionale të klinikës kanë trajtuar me sukses edhe foshnjat e lindura para kohe, ku 318 prej tyre, pas kujdesit intensiv dhe trajtimit të specializuar, janë liruar në gjendje të mirë shëndetësore për në shtëpi. Këto rezultate pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor dhe infermieror, të përbërë nga mjekë specialistë, infermierë dhe mamitë, të cilët çdo ditë punojnë me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi për të garantuar siguri dhe kujdes cilësor për nënat dhe foshnjat”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke filluar nga kontrollet gjinekologjike, diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve të ndryshme, përcjellja e shtatzënisë, lindjet normale dhe operative, deri te kujdesi pas lindjes dhe trajtimi i rasteve më komplekse obstetrike e gjinekologjike.
Shëndeti i gruas dhe i të porsalindurit mbetet prioritet i rëndësishëm i sistemit shëndetësor, pasi investimi në këtë fushë është investim i drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes dhe në të ardhmen e shoqërisë sonë. /Telegrafi/





