Romeo Beckham është gjobitur dhe ka marrë pikë penalizuese pasi u kap duke përdorur telefonin gjatë vozitjes në Londër, ndërsa po drejtonte një Porsche 911 luksoze.
Sipas raportimeve të gjykatës në Westminster, 23-vjeçari u ndal nga policia në shtator të vitit të kaluar, në një semafor të kuq, ku një oficer vuri re se ai ishte i shpërqendruar dhe po përdorte telefonin gjatë drejtimit të automjetit.

Në të njëjtën kohë, në makinë ndodhej edhe një pasagjer që po përdorte telefonin, ndërsa një qen ishte i pa siguruar në prehërin e saj, gjë që përbën shkelje të rregullave të sigurisë në trafik në Mbretërinë e Bashkuar.
Polici që e ndaloi deklaroi se shoferi nuk kishte kontroll të plotë mbi automjetin dhe po shikonte telefonin ndërsa ishte në timon.
Sipas ligjit britanik, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe mos-sigurimi i kafshëve në makinë konsiderohen shkelje serioze, pasi rrisin rrezikun në rrugë.
Gjykata e Westminster Magistrates’ Court e shpalli Beckham fajtor dhe i vendosi një gjobë totale prej rreth 870 euro, si dhe 3 pikë penalizuese në patentë.
Ai gjithashtu u urdhërua të paguajë shpenzime gjyqësore dhe një tarifë shtesë.
Rasti ka marrë vëmendje të madhe mediatike për shkak të profilit të lartë të familjes Beckham në publik, ndërsa ngjarja vjen në një periudhë kur edhe anëtarë të tjerë të familjes kanë qenë në qendër të diskutimeve në media. /Telegrafi/





