Nëse në WhatsApp ju vjen një mesazh nga një mik ose familjar që ju kërkon të votoni për fëmijën, kafshën shtëpiake apo një pjesëmarrës në ndonjë konkurs, mendohuni mirë para se të hapni lidhjen.
Mund të bëhet fjalë për një mashtrim phishing që u mundëson sulmuesve të lidhin pajisjen e tyre me llogarinë tuaj në WhatsApp dhe më pas të lexojnë mesazhet dhe të dërgojnë të tjera në emrin tuaj. Për këtë fushatë ka paralajmëruar edhe CERT-i Kombëtar i Serbisë.
Sipas paralajmërimit, sulmuesit dërgojnë mesazhe nga numra të njohur dhe paraqiten si kontakte që përdoruesi i ka tashmë në telefon. Teksti i mesazhit dhe lidhja mund të ndryshojnë, por qëllimi është i njëjtë: ta bindin përdoruesin të klikojë dhe, pa e kuptuar, t’i japë një pajisjeje tjetër qasje në llogarinë e tij.
Problemi është se mesazhi duket shumë më i besueshëm se një mashtrim klasik phishing, pikërisht sepse vjen nga një person që e njihni. Megjithatë, llogaria e atij personi mund të jetë komprometuar dhe mashtrimi më pas përhapet te kontaktet e tij.

Sulmuesi nuk ka nevojë t’jua vjedhë fjalëkalimin
Sulmi shfrytëzon funksionin legjitim të WhatsApp-it për lidhjen e pajisjeve shtesë. Sipas Malwarebytes, ekziston një teknikë e njohur si GhostPairing, përmes së cilës sulmuesit përpiqen ta bindin përdoruesin të shtojë kompjuterin ose një pajisje tjetër të tyre në llogarinë e WhatsApp-it.
Pasi pajisja të jetë lidhur, sulmuesi mund të ketë qasje në biseda dhe të dërgojë mesazhe duke u paraqitur si viktima. Mund të ketë gjithashtu qasje në listën e kontakteve dhe të vazhdojë të shpërndajë lidhje të rrezikshme në emër të viktimës.
Një tjetër problem është se viktima nuk e humb domosdoshmërisht menjëherë qasjen në llogarinë e WhatsApp-it. Përdoruesi mund të vazhdojë ta përdorë aplikacionin normalisht, ndërsa pajisja e sulmuesit mbetet e lidhur në sfond.
Si ta kontrolloni nëse llogaria është komprometuar?
Hapni WhatsApp → Cilësimet (Settings) → Pajisjet e lidhura (Linked Devices) dhe kontrolloni listën e pajisjeve që kanë qasje në llogarinë tuaj.
Nëse shihni një kompjuter, telefon apo pajisje tjetër që nuk e njihni, hiqeni menjëherë nga llogaria.
Gjithashtu, mos i besoni një lidhjeje vetëm sepse mesazhi ka ardhur nga një person që njihni. Nëse një mik ju kërkon papritur të votoni në një konkurs, kontaktojeni përmes një kanali tjetër dhe verifikojeni para se të hapni lidhjen.
Mos konfirmoni lidhjen e një pajisjeje të re nëse nuk e keni nisur vetë procesin dhe mos skanoni kodet QR që dikush jua dërgon përmes mesazhit si pjesë të një votimi apo verifikimi. /Telegrafi/





