Federata Tuniziane e Futbollit është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje me Herve Renard (57), i cili pritet të marrë drejtimin e kombëtares në mes të Kupës së Botës, sipas “The Sun”.
Francezi pritet të zëvendësojë Sabri Lamouchi (54), i cili u shkarkua pas humbjes së rëndë 5-1 të Tunizisë ndaj Suedisë në ndeshjen e tyre të parë në Grupin F.
Pas disfatës, drejtuesit e federatës vendosën se një ndryshim i menjëhershëm ishte i nevojshëm, ndërsa në një deklaratë zyrtare u konfirmua shkarkimi i Lamouchit dhe emërimi i përkohshëm i Mondher Kebaier për të përfunduar ndeshjet e Kupës së Botës.
Në të njëjtin njoftim, federata tha se po punonte për të siguruar që trajneri i ekipit olimpik, Anis Boujelbane, t’i bashkohej stafit teknik të përfaqësueses.
Megjithatë, situata u komplikua, pasi sipas gazetarit Romain Molina, Lamouchi ka drejtuar stërvitjen e ekipit edhe pasi u njoftua shkarkimi i tij, duke krijuar kaos brenda kampit tunizian.
Ndërkohë, drejtuesit e federatës nuk janë të kënaqur me zgjidhjen e përkohshme dhe po këmbëngulin që në stol të vijë Renard si opsion i parë.
Sipas “The Sun”, Renard tashmë është nisur drejt Santiago de Meksikos, ku ndodhet edhe skuadra e Tunizisë, dhe pritet një njoftim zyrtar shumë shpejt.
Renard është një nga trajnerët më të njohur në futbollin afrikan dhe ndërkombëtar, pasi ka fituar Kupën e Kombeve të Afrikës me Zambinë dhe Bregun e Fildishtë, si dhe ka drejtuar Marokun, Arabinë Saudite dhe kombëtaren e femrave të Francës.
Ai mbeti i lirë pasi u shkarkua nga Arabia Saudite vetëm dy muaj para Kupës së Botës. /Telegrafi/






