Banorët e fshatit Breznicë në Malësinë e Bujanocit po hyjnë në ditën e katërt radhazi pa pikë uji të pijshëm në shtëpitë e tyre. Shkak për këtë krizë sanitare janë bërë punimet në segmentin rrugor Breznicë – Muhovc, ku kompania e angazhuar ka dëmtuar për herë të dytë rrjetin kryesor të ujësjellësit.
Ndërkohë që qeverisja lokale e Bujanocit po përpiqet ta shesë këtë projekt si një “sukses të madh infrastrukturor” në rrjetet sociale, realiteti në terren po dëshmon një papërgjegjshmëri totale dhe mungesë të skajshme profesionalizmi.
Bujanoci.net sjell pasqyrimin e kësaj situate dhe analizën e revoltës së arsyeshme të qytetarëve ndaj pushtetit komunal.
Kronologjia e një dështimi: Kur asfalti kthehet në makth.
Sipas njoftimeve nga përgjegjësit e projektit, ekipet gjoja ndodhen në terren për sanimin e defektit, njoftuan para 4 dite por për banorët e Breznicës kjo deklaratë tashmë ka humbur çdo besueshmëri. Fakti që rrjeti kryesor i furnizimit me ujë dëmtohet për të dytën herë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si qeverisja aktuale i monitoron dhe i menaxhon kontratat publike.
Dëmtimi i përsëritur i të njëjtit tubacion tregon qartë se:
Punimet po zhvillohen pa pasur asnjë koordinim apo plan të detajuar të rrjetit nëntokësor.
Kompanitë e kontraktuara nuk po tregojnë as kujdesin më minimal teknik gjatë gërmimeve me makineri të rënda.
Komuna e Bujanocit po sillet si vëzhguese pasive, duke mos kërkuar llogari apo penalizuar firmat përgjegjëse për dëmin e shkaktuar ndaj popullatës.”Uji është jetë, asfalti është vetëm lëvizje” – Revolta e banorëveBanorët e Breznicës po shprehin një pakënaqësi të thellë ndaj prioriteteve të pushtetit aktual lokal.
Ata theksojnë se ndonëse investimet në rrugë janë të mirëseardhura, ato nuk mund dhe nuk guxojnë të realizohen duke sakrifikuar shërbimet bazike ekzistenciale.
”Është absurde të lavdrohesh se po shtron asfalt kur fëmijët tanë po hyjnë në ditën e katërt pa u larë dhe pa ujë për të pirë. Për jetën e njeriut më i rëndësishëm është uji sesa asfalti. Pushteti duhet të kuptojë se asfalti nuk pihet,” ka shkruar një banor i revoltuar në redaksin e Bujanoci.net. duke kërkuar të jetë anonim.
Ndërprerja e ujit për katër ditë me radhë, sidomos në këtë periudhë të vitit, po vështirëson jetesën e qindra familjeve dhe po rrezikon shëndetin publik në këtë zonë të Malësisë.
Kritika ndaj pushtetit: Propaganda e rrjeteve sociale përballë krizës në terren.
Ky rast nxjerr zbuluar një problem më të madh të qeverisjes së tanishme lokale në Bujanoc: vrapimin pas propagandës virtuale përpara zgjidhjes së problemeve reale.
Ndërsa profilet zyrtare të zyrtarëve komunalë mbushen me fotografi të makinerive që qajn kodërst me makineri të rënda e shtrojnë gurë e asfalt, askush prej tyre nuk merr guximin të dalë dhe t’u kërkojë falje banorëve të Breznicës apo t’u sigurojë atyre cisterna me ujë të pijshëm si masë urgjente emergjente.
Qytetarët e Breznicës po kërkojnë me të drejtë masa konkrete.
Ata nuk mjaftohen më me njoftime boshe për “ekipe në terren”, por kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe financiare nga kompanitë, si dhe llogaridhënie të drejtpërdrejtë nga mbikëqyrësit komunalë që lejojnë skandale të tilla të përsëriten./BujanociNet/





