Fuqitë e reja të VAR-it u zbuluan në ndeshjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Paraguait mëngjesin e sotëm (e shtunë).
Gjyqtari Danny Makkelie i dha karton të verdhë mbrojtësit amerikan Tim Ream për një faull ndaj Miguel Almiron, por dhoma e VAR-it ndërhyri dhe kërkoi një rishikim të videos për shkak të “identitetit të gabuar”.
Shumë tifozë u hutuan nga situata dhe me qindra komente u shfaqën në mediat sociale duke pyetur se çfarë kishte ndodhur.
Konkretisht, konfuzioni lindi sepse më parë sistemi VAR mund të thërriste një gjyqtarët për “identitet të gabuar”, por kjo vlente për rastet e rralla në të cilat një gjyqtar do të ngatërronte dy lojtarë nga i njëjti ekip dhe do t’i jepte të gabuarit një karton të verdhë ose një përjashtim.
Duke filluar nga kjo Kupë Bote, përkufizimi i “identitetit të gabuar” është zgjeruar.
Rregullat tani thonë: “Nëse një lojtar ndëshkohet ose përjashtohet dhe shkelja është kryer në fakt nga skuadra kundërshtare, vendimi mund të përmbyset”.
Në këtë shembull të veçantë, gjyqtarët në dhomën e VAR-it arritën në përfundimin se “faulli” nuk ishte kryer nga Ream, por nga Almiron. Nuk kishte asnjë kontakt midis Ream dhe Almiron, dhe Almiron u rrëzua dhe simuloi.
Edhe kjo bie brenda përkufizimit të një faulli në këtë rast, kështu që Makkelie u thirr për të shqyrtuar videon dhe në fund ai e përmbysi kartonin për Ream dhe ia dha Almiron, i cili gjithashtu nuk kishte idenë se çfarë po ndodhte dhe si kishte marrë papritur një karton. /Telegrafi/






