Ruben Amorim është rikthyer në tregun e trajnerëve dhe emri i tij po fiton gjithnjë e më shumë terren në zyrat e Milanit. Klubi kuqezi është në kërkim të një trajneri të ri për të nisur një cikël të ri, ndërsa drejtuesit po shqyrtojnë disa kandidatë për stolin e “San Siros”.
Aktualisht, Oliver Glasner mbetet profili më i avancuar në listën e Milanit, por marrëveshja ende nuk është finalizuar. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit vazhdojnë të analizojnë alternativa të tjera dhe të krahasojnë projektet e ndryshme për të ardhmen.
Sipas raportimeve, Amorim nuk konsiderohet thjesht një plan rezervë. Drejtuesit e Milanit kanë kontaktuar së fundmi trajnerin portugez për të mësuar më shumë rreth situatës së tij dhe gatishmërisë për të marrë drejtimin e skuadrës.
Kuqezinjtë po kërkojnë një trajner me personalitet të fortë, metodologji të qartë pune dhe aftësi për të rindërtuar një skuadër që ka kaluar momente të vështira. Pikërisht këto cilësi bëjnë që emri i Amorimit të jetë një nga më tërheqësit për klubin italian.
Edhe pse aventura e tij te Manchester United përfundoi më shpejt sesa pritej dhe la pas disa pikëpyetje, puna e tij e shkëlqyer te Sporting Lisbona vazhdon të vlerësohet lart në futbollin evropian.
Për më tepër, Amorim ka dëshmuar se di të punojë me lojtarë të rinj dhe të përballojë presionin që sjell drejtimi i një klubi të madh, cilësi që konsiderohen thelbësore për projektin e ri të Milanit.
Megjithatë, gara për bankinën kuqezi mbetet e hapur. Oliver Glasner vazhdon të ketë një avantazh ndaj rivalëve, ndërsa Ralf Rangnick dhe Mauricio Pochettino janë gjithashtu emra që po monitorohen nga drejtuesit e klubit.
Te Milani besojnë se një projekt më i organizuar dhe një ambient më i qëndrueshëm mund të nxjerrin në pah versionin më të mirë të Amorimit./Telegrafi/






