Më herët gjatë kësaj jave, Real Madridi konfirmoi largimin e trajnerit Alvaro Arbeloa, një vendim që pritej prej javësh.
43-vjeçari mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Xabi Alonsos në janar, por dështimi për të fituar ndonjë trofe bëri që klubi të mos i ofronte vazhdimin e kontratës.
Megjithatë, Arbeloa mund ta lërë shpejt pas zhgënjimin e largimit nga ‘Santiago Bernabeu’, pasi është kandidat për t’u rikthyer menjëherë në stol. Sipas raportimit të The Athletic, ai ka zhvilluar bisedime me klubin e Ligës Premier, Fulham, i cili aktualisht është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Marco Silvës.
Interesant është fakti se Silva pritet të marrë drejtimin e Benficas, duke zëvendësuar Jose Mourinhon, i cili nga kjo verë do të jetë trajner i ri i Real Madridit.
Pavarësisht se nuk arriti të sigurojë trofe gjatë periudhës së tij në krye të Real Madridit, reputacioni i Arbeloas në rrethet e trajnerëve është rritur ndjeshëm. Për këtë arsye, mundësia për të drejtuar një skuadër në Ligën Premier konsiderohet shumë joshëse për ish-mbrojtësin spanjoll.
Nëse Fulham vendos t’i ofrojë postin e trajnerit, Arbeloa me shumë gjasa do ta pranonte pa hezitim sfidën në ‘Craven Cottage’.
Fulhami nuk është klubi i vetëm që është lidhur me emrin e tij. Më herët, Arbeloa ishte përmendur edhe si një nga kandidatët për të marrë drejtimin e Bayer Leverkusenit, por emri i tij u hoq nga lista e ngushtë e klubit gjerman.
Megjithatë, mbetet plotësisht e mundur që ai të bindë drejtuesit e Fulhamit dhe të nisë një aventurë të re në futbollin anglez./Telegrafi/






