Tottenham ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit argjentinas Marcos Senesi, i cili i bashkohet klubit londinez si lojtar i lirë pas largimit nga Bournemouth.
Qendërmbrojtësi 28-vjeçar largohet nga skuadra e Ligës Premier pas një periudhe të konsoliduar në “Vitality Stadium”, ku u shqua për qetësinë në lojë, aftësitë në ndërtimin e aksioneve nga prapavija dhe duelet fizike.
Performancat e tij me Bournemouth kanë bërë që ai të tërheqë vëmendjen e disa klubeve të mëdha angleze, por në fund ka qenë Tottenham ai që ka siguruar shërbimet e tij.

Senesi pritet t’i bashkohet zyrtarisht ‘Spurs’ më 1 korrik, ndërsa sipas raportimeve ai ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me klubin londinez.
Në deklaratën e tij të parë si lojtar i Tottenhamit, argjentinasi u shpreh i emocionuar për këtë hap të ri në karrierë:
“Është një ndjenjë shumë e veçantë të jem lojtar i Tottenham Hotspur. Që nga momenti i parë, klubi ka treguar pse më dëshiron dhe sa shumë më dëshiron si pjesë të projektit që po ndërtojnë. Është emocionuese dhe mezi pres të jem pjesë e saj”.
Ai shtoi se synimi i tij është të kontribuojë maksimalisht për suksesin e ekipit.
“Sa herë që zbres në fushë do të jap maksimumin për t’i bërë tifozët krenarë dhe për ta kthyer klubin aty ku i takon. Dua të fitoj trofe me Tottenhamin dhe do të bëj gjithçka për ta arritur këtë”.
Me këtë transferim, Tottenham forcon repartin defensivë me një lojtar me eksperiencë në Ligën Premier, duke i shtuar konkurrencë dhe stabilitet skuadrës për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/





