Publicisti dhe veprimtari nga Lugina e Preshevës, Refik Hasani, ka ngritur sërish çështjen e mosfunksionalizimit zyrtar të disa vendkalimeve kufitare ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar hapjen e tyre sa më parë.
Sipas Hasanit, vendkalimet kufitare në Dobrosin, Breznicë, Llojan, Muhoc dhe Kapi vazhdojnë të mbeten të pazyrtarizuara, duke shkaktuar vështirësi të shumta për qytetarët që jetojnë në të dy anët e kufirit.
Ai thekson se mosfunksionalizimi i këtyre pikave kufitare pengon lëvizjen e lirë të njerëzve, dobëson lidhjet familjare, kulturore dhe ekonomike, si dhe kufizon bashkëpunimin ndërkufitar në rajon.
“Mos zyrtarizimi i këtyre vendkalimeve kufitare është pengesë për qytetarët dhe cenon të drejtën e tyre për lëvizje të lirë”, ka deklaruar Hasani.
Sipas tij, kjo çështje duhet të trajtohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse dhe nga faktori ndërkombëtar, duke kujtuar se lëvizja e lirë është një nga parimet themelore mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian.
Hasani vlerëson se zvarritja e hapjes së këtyre vendkalimeve krijon standarde të dyfishta ndaj qytetarëve të rajonit dhe u bën thirrje autoriteteve serbe që të harmonizojnë politikat e tyre me normat dhe obligimet evropiane.
Ai thekson se hapja zyrtare e këtyre pikave kufitare do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, zhvillimin ekonomik lokal dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve në rajon./BujanociNet/





