Dua Lipa dhe Callum Turner kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në një ceremoni civile të mbajtur në Sallën e Vjetër të Qytetit Marylebone në Londër.
Por, përveç lajmit të martesës, vëmendje të madhe mori edhe paraqitja e këngëtares, e cila zgjodhi një veshje nusërie larg traditës klasike.
Për ditën e saj të veçantë, Dua veshi një krijim të shtëpisë së modës Schiaparelli, të dizajnuar nga Daniel Roseberry, shkruan Vogue.

Dua u shfaq me një kostum elegant ngjyrë fildishi, të përbërë nga një xhaketë e qepur në bel dhe një fund asimetrik.
Pamja u kompletua me doreza të bardha, këpucë Christian Louboutin, bizhuteri Bulgari dhe një kapelë me strehë të gjerë të krijuar nga Stephen Jones.
Sipas mediave të modës, zgjedhja e Duas kujton stilin e paharrueshëm të Bianca Jagger, e cila në vitin 1971 u martua me Mick Jagger e veshur me një kostum të bardhë Yves Saint Laurent dhe një fund të gjatë.
Ajo paraqitje konsiderohet ende sot si një nga momentet më ikonike në historinë e modës së nusërisë.
Pikërisht ky kombinim mes elegancës klasike dhe elementeve moderne është parë edhe te zgjedhja e Duas, e cila solli një interpretim bashkëkohor të një stili që ka mbetur referencë për dekada.
Ndërkohë, raportimet sugjerojnë se pas ceremonisë civile në Londër, çifti pritet të organizojë edhe një festë tjetër dasme në Itali, ku mbetet për t’u parë se çfarë veshjeje do të zgjedhë këngëtarja për paraqitjen e saj të radhës. /Telegrafi/





