Sunderland ka shkruar një nga kapitujt më të jashtëzakonshëm në historinë e klubit, duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës 2026/27 – udhëtimi i parë evropian që nga viti 1973.
Në krye të kësaj ringjalljeje historike qëndron kapiteni Granit Xhaka, i cili udhëhoqi “Macet e Zeza” në një sezon që shumë e parashikonin si luftë për mbijetesë, por që përfundoi si një përrallë suksesi.
Kjo arritje është edhe më e madhe kur shihet rruga e klubit në vitet e fundit: Sunderland ishte i fundit në Ligën Premier në 2017, ra dy herë rresht dhe përfundoi në League One deri në vitin 2019, duke kaluar periudha të vështira sportive e financiare.
Vetëm katër vjet më parë, klubi po luftonte për t’u larguar nga liga e tretë, ndërsa tani është rikthyer në hartën evropiane.
Efekti Le Bris dhe vera që ndryshoi gjithçka
Pikë kthese u bë emërimi i trajnerit Régis Le Bris, fillimisht i pritur me skepticizëm, por që doli vendimtar falë qasjes së tij në punën me të rinjtë dhe adaptimin taktik.
Ndërkohë, vera e transferimeve u cilësua historike, me investime të mëdha dhe afrime që ndryshuan profilin e ekipit.
Në Ligën Premier, Sunderland e nisi fuqishëm sezonin, qëndroi i fortë në “Stadium of Light” deri në mesin e shkurtit dhe arriti rezultate të mëdha, përfshirë edhe dy fitore ndaj rivalëve të Newcastle.
2-1 ndaj Chelseat dhe festa në “Stadium of Light”
Vendi i shtatë u konfirmua në javën e fundit me fitoren 2-1 ndaj Chelseat, ndërsa rezultati i Sunderlandit u shoqërua edhe me “ndihmën” nga fushat tjera: Brentford u ndal me barazim, ndërsa Brighton u mposht, duke e ngritur Sunderlandin direkt në Ligën e Evropës.
Kur erdhi konfirmimi, festa shpërtheu: lojtarët u shpërndanë nëpër fushë, tifozët shpërthyen në lot gëzimi, ndërsa stafi u përqafua në mes të emocionit.
Një vit pas ngjitjes përmes “play-off”-it, Sunderland jo vetëm që mbijetoi, por u kthye në Evropë – me Granit Xhakën si simbol i lidershipit dhe i një sezoni që tashmë po quhet ndër më të mëdhenjtë në epokën moderne të klubit. /Telegrafi/






