Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot në një konferencë për shtyp akuzoi kryeministrin dhe kryetarin e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, se gënjen kur pretendon se gjuha maqedonase është e rrezikuar.
Filipçe deklaroi se gjuha maqedonase njihet qartë në Bashkimin Evropian dhe se kjo është deklaruar në kornizën negociuese.
“Kryeministri përmend identitetin, gjuhën e kështu me radhë, dhe kjo është vetëm një temë tjetër për të cilën shohim se ky njeri është gënjeshtar. Kryeministri gënjen”, tha Filipçe.
Ai kujtoi se Mickoski më parë kishte pretenduar se Maqedonia nuk do të merrte datë për negociata me qeverinë e Zoran Zaevit, dhe më pas, sipas tij, foli rrejshëm edhe për Marrëveshjen e Prespës dhe rrezikimin e supozuar të gjuhës maqedonase.
“Propozimi francez, pra Korniza Negociuese, e përcakton qartë gjuhën maqedonase. Nuk e përcakton me shënim në fund të faqes, as siç citohet në Kushtetutë. Ai përcakton gjuhën e pastër maqedonase”, theksoi Filipçe.
Ai shtoi se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën dhe vlerësoi se Kryeministri po e paraqet veten si një patriot të madh, ndërsa, sipas tij, po manipulon temën e identitetit dhe gjuhës.






