Benedict Cumberbatch është përfshirë në një debat të ashpër dhjetëminutësh me një çiklist në Londër, pasi dyshohet se kaloi me semafor të kuq me biçikletën e tij elektrike.
Aktori 49-vjeçar, i njohur për rolin e tij në “Sherlock”, u përball me çiklistin tjetër në një incident që ndodhi rreth orës 17:30 të martën, sipas dëshmitarëve.
Një video e publikuar tregon një burrë që e quan Cumberbatch të hutuar dhe i bërtet se po gënjen, ndërsa aktori i përgjigjet duke thënë se është ofenduar verbalisht gjatë përplasjes, shkruan DailyMail.

Sipas dëshmitarëve, një çiklist i tretë kishte ndjekur Cumberbatch pasi dyshohet se ai kishte kaluar një semafor të kuq në korsinë e biçikletave.
Debati më pas u përshkallëzua në rrugë, ku të dy palët shkëmbyen akuza të ndërsjella për shkelje rregullash dhe sjellje të rrezikshme.
Në video dëgjohet çiklisti duke thënë se aktori kishte kaluar “tre semaforë të kuq dhe një vendkalim për këmbësorë”, ndërsa Cumberbatch këmbëngul se nuk i kishte shkelur rregullat.
Sipas një dëshmitari, përplasja zgjati rreth 10 minuta dhe u ndoq nga kalimtarë të shumtë, përfshirë edhe disa nxënës shkolle që e njohën aktorin dhe kërkuan foto me të pas incidentit.
Pasi çiklisti u largua, Cumberbatch thuhet se ka vazhduar rrugën dhe ka pozuar për foto me fansat.
Dëshmitarët e përshkruan çiklistin si një “vigjilent” që kishte ndërhyrë pasi kishte parë shkeljen e supozuar të rregullave.
Ngjarja vjen disa vite pasi aktori kishte qenë i përfshirë edhe në një tjetër incident të ngjashëm me një çiklist në vitin 2019. /Telegrafi/





