Merimangat që jetojnë në shtretër, qilima, perde dhe mobilie mund të shkaktojnë teshtitje, hundë të bllokuar, kruarje të syve dhe vështirësi në frymëmarrje te personat e ndjeshëm
Alergjia nga pluhuri i shtëpisë është një reagim i shpeshtë, por shpesh i nënvlerësuar i sistemit imunitar, i cili në shumicën e rasteve shfaqet si përgjigje ndaj marimangave. Këta mikroorganizma jetojnë në vende të ngrohta dhe me lagështi në shtëpi, më së shpeshti në shtretër, qilima, perde, mobilie të veshura me pëlhurë, si dhe në sende prej leshi dhe puplash. Pikërisht për këtë arsye, jemi të ekspozuar ndaj tyre shumë më tepër sesa mendojmë.
Alergji apo ftohje: Si t’i dallojmë simptomat?
Simptomat e alergjisë mund të jenë të ndryshme dhe shpesh i ngjajnë ftohjes, por ndryshe nga ajo zgjasin më shumë dhe përsëriten. Më së shpeshti shfaqen:

Te disa persona mund të shfaqet edhe kollë, ndjenjë shtrëngimi në gjoks, madje edhe vështirësi në frymëmarrje, gjë që mund të tregojë një reagim më të fortë të rrugëve të frymëmarrjes.
Si ta bëni shtëpinë më të sigurt për personat me alergji
Kontrolli i simptomave nis nga hapësira ku qëndrojmë. Dhoma e gjumit ka rëndësi të veçantë, sepse aty kalojmë një pjesë të madhe të kohës, prandaj është e rëndësishme të zvogëlohet sa më shumë prania e alergjenëve.
Kjo nënkupton përdorimin e mbulesave mbrojtëse për shtrojat, larjen e rregullt në temperatura të larta, si dhe shmangien e materialeve si leshi dhe puplat, të cilat favorizojnë zhvillimin e marimangave. Edhe detaje të tilla si lodrat prej pelushi ose raftet e hapura me libra mund të jenë burim problemesh nëse nuk mirëmbahen siç duhet.
E njëjta gjë vlen edhe për pjesën tjetër të shtëpisë. Qilimat dhe perdet e rënda mbajnë pluhur dhe krijojnë kushte të përshtatshme për marimangat, prandaj rekomandohet largimi i tyre ose zëvendësimi me materiale më të thjeshta dhe më të lehta për pastrim.
Përveç kësaj, kontrolli i lagështisë dhe temperaturës luan rol kyç. Marimangat shumohen më lehtë në ambiente të ngrohta dhe me lagështi, ndaj ajrosja e rregullt, ruajtja e një temperature të moderuar dhe shmangia e lagështisë së tepërt në hapësirë mund ta zvogëlojnë ndjeshëm praninë e tyre, transmeton Telegrafi.
Vërejtje e rëndësishme për mënyrën e pastrimit
Edhe mënyra e pastrimit të shtëpisë ka rëndësi të madhe. Fshesa klasike me korrent mund t’i ngrejë grimcat e pluhurit në ajër, ndërsa pajisjet me filtra HEPA i mbajnë alergjenët dhe parandalojnë përhapjen e tyre të përsëritur.
Fshirja e pluhurit me leckë të lagësht dhe mirëmbajtja e rregullt e kondicionerëve ndihmojnë gjithashtu në përmirësimin e cilësisë së ajrit në ambiente të mbyllura.
Përveç faktorëve të jashtëm, është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje edhe gjendjes së organizmit. Forcimi i imunitetit përmes ushqyerjes së rregullt, marrjes së acideve yndyrore omega 3, probiotikëve dhe antioksiduesve mund ta ndihmojë trupin të përballet më lehtë me reagimet alergjike.
Shmangia e tymit të duhanit dhe e irrituesve të tjerë e ul më tej ngarkesën mbi rrugët e frymëmarrjes, ndërsa përbërës natyralë si mjalti, xhenxhefili dhe kurkuma mund të ofrojnë mbështetje të lehtë, por të dobishme.
Mundësitë e trajtimit të alergjisë nga marimangat
Kur masat parandaluese nuk mjaftojnë, përdoret terapia. Antihistaminikët mund t’i lehtësojnë simptomat si teshtitja dhe kruarja, ndërsa sprejët kortikosteroidë për hundë dhe pikat për sy veprojnë drejtpërdrejt mbi inflamacionin dhe bllokimin.
Në raste më të rënda mund të aplikohet imunoterapia, një proces afatgjatë që gradualisht e zvogëlon ndjeshmërinë e organizmit ndaj alergjenëve dhe mund të ndihmojë në parandalimin e komplikimeve më serioze, si astma.
Edhe pse alergjia nga pluhuri i shtëpisë nuk mund të eliminohet gjithmonë plotësisht, me qasje të duhur ajo mund të kontrollohet me sukses. Kombinimi i shprehive higjienike, përshtatjes së hapësirës së jetesës dhe terapisë së përshtatshme mundëson uljen e ndjeshme të simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së përditshme. /Telegrafi/





