Edhe pse fillimisht u projektua për të lidhur Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, gjatë periudhës së fundit janë ngritur dyshime se Korridori 8 mund të ndryshojë trase dhe të ndërpritet lidhja me Shqipërinë. Megjithatë, kështu nuk mendon Izet Mexhiti, njëri ndër kryetarët e VLEN-it.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për dilemat e ngritura në opinion, Mexhiti theksoi se Korridori 8 do të ndërtohet sipas planit fillestar dhe se lidhja me Shqipërinë nuk vihet në pikëpyetje në asnjë moment. Dilema e vetme sipas Mexhitit, mbetet pika konkrete e lidhjes, duke shtuar se është e mundur që njëkohësisht të respektohen edhe rregullat e UNESCO-s.
“Momentin që kjo Qeveri është përcaktuar për të realizuar atë korridor, është për tu lidhë me Shqipërinë. Nuk është ideja për të shkuar nga Shkupi deri në Sturgë dhe Ohër për të pirë kafe, por ideja është që Korridori të lidhet me Shqipërinë. Dilema e vetme është se ku do të lidhet. Mund edhe ti respektojmë rregullat e UNESCO-s edhe korridori të bëhet”, tha Mexhiti.





