Berisha: Lirimi i të ndaluarve në Jarinjë ngre shqetësime për sigurinë dhe vendimet e Prokurorisë

Eksperti i sigurisë kibernetike, Halil Berisha, ka reaguar pas lirimit të gjashtë personave të ndaluar në Jarinjë, të cilët dyshohej se po transportonin materiale me përmbajtje nxitëse dhe nacionaliste. Në një reagim në rrjetin social Facebook, Berisha ka shprehur shqetësime lidhur me vendimin e Prokurorisë në Mitrovicë për lirimin e të dyshuarve vetëm pak orë […]

Nacionale

Eksperti i sigurisë kibernetike, Halil Berisha, ka reaguar pas lirimit të gjashtë personave të ndaluar në Jarinjë, të cilët dyshohej se po transportonin materiale me përmbajtje nxitëse dhe nacionaliste.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, Berisha ka shprehur shqetësime lidhur me vendimin e Prokurorisë në Mitrovicë për lirimin e të dyshuarve vetëm pak orë pas arrestimit.

“Policia i arreston e Prokuroria e Mitrovicës i liron! Si është e mundur që, pavarësisht materialeve nxitëse, përçarëse e glorifikuese të terroristëve që sulmuan Kosovën në Banjskë, të dyshuarit të lirohen brenda pak orësh?”, ka shkruar ai.

Ai ka ngritur gjithashtu dyshime për rrezikun potencial të këtyre rasteve dhe mundësinë e përgatitjes së incidenteve të reja.

“Si ka mundësi që nuk u trajtua dyshimi se këta persona mund të jenë të lidhur me grupe kriminale dhe të përfshirë në përgatitje për sulme të reja?”, ka theksuar Berisha.

Sipas tij, institucionet kompetente duhet të trajtojnë me seriozitet këto raste dhe të sqarojnë bazën e vendimeve të marra.

“Me çfarë baze? A jep përgjegjësi dikush për këtë punë? Çka nëse është plan edhe ndonjë trazirë?”, ka shtuar ai në reagimin e tij.

Berisha ka kërkuar më shumë transparencë dhe përgjegjësi institucionale në trajtimin e rasteve të tilla sensitive për sigurinë e vendit. /Telegrafi/