Vajza e Bill Gates, Phoebe në qendër të kritikave – një influencuese e akuzon se ajo donte ta paguante vetëm 250 euro

Phoebe Gates, vajza 23-vjeçare e Bill Gates, është vënë në shënjestër të kritikave në internet pasi një influencuese e akuzoi se ka tentuar ta manipulojë dhe ta angazhojë për një bashkëpunim me pagesë më të ulët se tarifa e saj standarde. Kacie Margis, krijuese përmbajtjeje, pretendon se themeluesja e mjetit të inteligjencës artificiale për blerje, […]

Magazina

Phoebe Gates, vajza 23-vjeçare e Bill Gates, është vënë në shënjestër të kritikave në internet pasi një influencuese e akuzoi se ka tentuar ta manipulojë dhe ta angazhojë për një bashkëpunim me pagesë më të ulët se tarifa e saj standarde.

Kacie Margis, krijuese përmbajtjeje, pretendon se themeluesja e mjetit të inteligjencës artificiale për blerje, Phia, është përpjekur ta punësojë për më pak se 250 dollarë, pavarësisht se vjen nga një familje miliardere, shkruan New York Post.

Gjithçka nisi me një postim të Margis – modele dhe influencuese nga Kalifornia – e cila në rrjetin social Threads ndau përvojën e saj. “Kur vajza e një miliarderi të thotë se buxheti i saj është ‘jashtëzakonisht i kufizuar’ dhe se bëhet fjalë për një ‘startup modest’, vetëm që të të paguajë më pak se çmimet që i ke të publikuara”, shkroi ajo.

Si “provë”, Margis publikoi një pamje ekrani të një mesazhi që, sipas saj, Phoebe i kishte dërguar në Instagram në prill të vitit të kaluar. Në mesazh minimizohej potenciali financiar i kompanisë Phia, një markë me bazë në Nju Jork, vlera e së cilës – sipas raportimeve – llogaritet rreth 180 milionë dollarë. Phia u ofron përdoruesve ndihmë për të gjetur oferta më të lira për modë të nivelit të lartë, sidomos në tregun e veshjeve të përdorura.

“Hej e dashur! Të gjeta në Collabstr dhe jam fanse e madhe e përmbajtjes tënde. Unë jam themeluesja e @Phiaco, po nisemi në fund të këtij muaji (!!) dhe do të ishte nder i madh nëse do të doje të bashkëpunoje dhe të na ndihmoje me promovimin”, thuhet në mesazhin që pretendohet se është dërguar nga profili i verifikuar i Phoebe Gates.

Mesazhi vijon: “Jemi ende një startup modest, ndaj buxheti ynë është jashtëzakonisht i kufizuar, por gjithsesi do të donim të bashkëpunonim nëse je e hapur. Mund të më dërgosh çmimet e tua”.

Margis thotë se e refuzoi ofertën. Ajo shpjegoi se Phoebe e kishte gjetur përmes platformës Collabstr, ku brendet mund të angazhojnë krijues përmbajtjeje dhe ku tarifat e saj janë të publikuara. Sipas Margis, në vend që ta rezervonte përmes platformës me çmimin e deklaruar, ajo i kishte shkruar privatisht për të negociuar një pagesë më të ulët.

Postimi i Margis shkaktoi një valë reagimesh kundër Phoebe Gates, ku shumë përdorues e akuzuan për sjellje joetike dhe përpjekje për të përfituar nga puna e krijuesve të përmbajtjes.

Mes komenteve, disa e quajtën “mashtruese”, ndërsa të tjerë kritikonin faktin që një person me akses të madh financiar do të negocionte një shumë të tillë. Disa përdorues ironizuan edhe stilin e jetës së saj luksoz, duke thënë se nëse buxheti është “i kufizuar”, ajo mund ta financojë vetë projektin.

Kritikat vijnë në një periudhë kur emri i Bill Gates (70) është përmendur sërish në media për shkak të lidhjeve të tij të së kaluarës me Jeffrey Epstein. Në këtë kontekst, Phoebe – sipas raportimeve – po mundohet ta distancojë biznesin e saj nga polemikat familjare.

Në një paraqitje të fundit në podcastin “Opening Bid Unfiltered” në Yahoo Finance, ajo tha se kishte refuzuar financimin nga i ati, në mënyrë që kompania e saj Phia të mos lidhej me “privilegjet” apo mbiemrin e saj.

“Duhet të provoj veten”, u shpreh Phoebe, duke theksuar se dëshiron të ketë sukses mbi bazën e meritës dhe punës, jo trashëgimisë. “Kjo nuk do të thotë vetëm të provoj veten para vetes, por të ndërtoj diçka të re dhe unike që konsumatorëve do t’u pëlqejë vërtet”.

Megjithatë, ajo zbuloi edhe këshillën më të mirë të biznesit që thotë se ka marrë nga babai i saj: “Nga babi kam mësuar se ekipi është zemra e çdo gjëje që ndërton. Nuk mund të arrish asgjë pa një ekip të jashtëzakonshëm”. /Telegrafi/