Refuzoi të hante mishin e derrit, shqiptari ne Zvicër denoncon racizëm në polici

Një punonjës i shërbimit të kontrollit të parkimit në komunën e Thônex, me shtetësi zvicerane dhe origjinë shqiptare, pretendon se ka qenë viktimë e racizmit dhe diskriminimit për shkak të prejardhjes dhe fesë së tij. Lajmi është raportuar nga Blick....

Nacionale

Një punonjës i shërbimit të kontrollit të parkimit në komunën e Thônex, me shtetësi zvicerane dhe origjinë shqiptare, pretendon se ka qenë viktimë e racizmit dhe diskriminimit për shkak të prejardhjes dhe fesë së tij. Lajmi është raportuar nga Blick.

Sipas tij, ai është përballur me komente fyese dhe sjellje diskriminuese nga kolegët dhe eprorët, përfshirë edhe drejtues të shërbimit. Punonjësi, i cili ndodhet në pushim mjekësor që nga dhjetori, ka paralajmëruar se do të paraqesë kallëzim penal.

Në një nga incidentet e përshkruara, gjatë një darke mes kolegësh në nëntor 2024, ai refuzoi të konsumonte mish derri për arsye fetare. Sipas tij, kjo solli reagime tallëse dhe pyetje provokuese si: nëse ishte islamist apo kishte lidhje me organizata terroriste.

Ai thekson se këto sjellje janë përsëritur për muaj me radhë, duke krijuar një klimë armiqësore në vendin e punës.

Punonjësi pretendon gjithashtu se është vënë nën presion për të shqiptuar një numër minimal gjobash, ndërsa ka dokumentuar edhe deklarata të drejtpërdrejta fyese ndaj shqiptarëve.

Sipas raportimit të Blick, një kolege thuhet të ketë deklaruar: “E kapa një shqiptar, do t’ia jap maksimumin e gjobës”, ndërsa një epror i është drejtuar me fjalë se “shqiptarët nuk dinë të integrohen”.

Kryetari i komunës së Thônex, Bruno da Silva, ka deklaruar për Blick se rasti është trajtuar dhe se janë marrë masa pas një hetimi të brendshëm, pa dhënë detaje.

Ai theksoi se autoritetet nuk lënë pa trajtuar akuza të tilla dhe kanë detyrimin të mbrojnë të gjithë punonjësit.

Punonjësi: “Kam përjetuar ngacmime për një vit”

Punonjësi i prekur mohon që rasti të lidhet me ndryshimet strukturore në shërbim dhe thotë se ankesat e tij janë bërë shumë më herët.

Ai shton se ka përjetuar ngacmime për gati një vit dhe se gjendja e tij psikologjike është përkeqësuar, çka e ka detyruar të ndërpresë përkohësisht punën.