Në mbledhjen e së enjtes, Qeveria e Kosovës, janë marrë rreth 15 vendime, duke përfshirë edhe masat për menaxhimin publik të terminaleve doganore dhe vendime strategjike në fushat e administratës publike, arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Kryeministri Kurti ka theksuar se tashmë të gjitha terminalet doganore janë nën menaxhim publik.
“Urime, të gjitha terminalet doganore i kemi publike”, ka deklaruar ai, duke njoftuar se për hapësirat që më parë ishin në përdorim nga kompani private, nuk janë rinovuar kontratat dhe ato janë kaluar në menaxhim të Doganës së Kosovës.

Një prej vendimeve të tjera të miratuara është bartja e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Po ashtu, Qeveria ka themeluar Sistemin për Zbatimin e Mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
Me këtë vendim, Jeton Zulfaj emërohet koordinator kombëtar i këtij instrumenti, duke koordinuar strukturat ndërinstitucionale të Qeverisë.
Një vendim tjetër i rëndësishëm lidhet me nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Qeverinë e Belgjikës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe harmonizimin e procedurave ligjore.
Ekzekutivi ka miratuar gjithashtu përditësimin e Listës Shtetërore Strategjike për Mallra me Përdorim të Dyfishtë, në përputhje me listën e Bashkimit Evropian, për të rritur kontrollin mbi mallrat me ndikim në sigurinë kombëtare dhe publike.
Në fushën e arsimit, Qeveria ka aprovuar pagesën e 55 specializantëve me vetëfinancim dhe të 37 specializantëve nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Një tjetër vendim ka të bëjë me themelimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike, që do të koordinojë zbatimin e dokumenteve strategjike për modernizimin e administratës dhe përbëhet nga përfaqësues të ministrive kyçe dhe Zyra e Kryeministrit.
Në kuadër të zhvillimeve infrastrukturore, Qeveria ka miratuar vendimin preliminar për shpronësimin e pronës ish-shoqërore “KBI Ereniku” për realizimin e projektit “Ndërtimi i Zonës Industriale të Mbrojtjes”, si dhe vendime të ngjashme për pronat e tjera me interes publik./Telegrafi.





