UEFA ka ftuar ligat kryesore të futbollit në Evropë në një takim gjatë kësaj vere, për të shqyrtuar mënyrën se si po aplikohet teknologjia VAR, mes shqetësimeve në rritje për përdorim të tepërt dhe mungesë konsistence.
Drejtori i gjyqtarëve në UEFA, Roberto Rosetti, theksoi se ndërhyrjet e VAR-it janë larguar nga qëllimi fillestar, që ishte korrigjimi vetëm i gabimeve “të qarta dhe të dukshme”.
“Besoj se kemi harruar arsyen pse u prezantua VAR-i”, u shpreh Rosetti.

“Në vendimet objektive është fantastik. Por për interpretimet, vlerësimi subjektiv është më i vështirë. Prandaj u vendos parimi i gabimeve të qarta dhe të dukshme, duhet të ketë prova të forta”.
Në këtë samit do të marrin pjesë drejtuesit e gjyqtarëve nga ligat më të mëdha evropiane si Liga Premier, La Liga, Serie A, Bundesliga dhe Ligue 1.
Qëllimi është përcaktimi i kritereve më të qarta për ndërhyrjen e VAR-it dhe arritja e një zbatimi sa më të unifikuar të rregullave.
Aktualisht, përdorimi i VAR-it ndryshon ndjeshëm mes ligave evropiane.
Liga Premier ka normën më të ulët të ndërhyrjeve këtë sezon me 0.275 për ndeshje, ndërsa Ligue 1 kryeson me 0.47.
Serie A regjistron 0.44 ndërhyrje për ndeshje, ndërsa La Liga dhe Bundesliga qëndrojnë rreth 0.38.
Në garat e Ligës Premier, mesatarja është 0.45 ndërhyrje për ndeshje.
Rosetti theksoi gjithashtu nevojën që ligat të “flasin një gjuhë të përbashkët teknike”, veçanërisht për vendime të diskutueshme si prekjet me dorë, në mënyrë që të rritet konsistenca mes kompeticioneve.
UEFA shpreson që këto diskutime të çojnë drejt një qasjeje më të unifikuar, duke siguruar që VAR-i të shërbejë për qëllimin e tij fillestar, pa dëmtuar rrjedhën dhe frymën e lojës. /Telegrafi/





