Bayern Munich ka konfirmuar formën e jashtëzakonshme në Evropë, duke mposhtur bindshëm Atalanta me rezultat 4-1 dhe duke siguruar kalimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Kjo fitore vjen pas triumfit të thellë 1-6 në ndeshjen e parë, duke vulosur dominimin total të bavarezëve në këtë përballje.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga vendasit, të cilët kërkuan golin që në minutat e para.

Pas disa tentativave dhe një kontrolli me VAR, Bayerni fitoi një penallti në minutën e 25-të.
Harry Kane fillimisht u ndal nga portieri, por në tentativën e dytë nuk gaboi, duke kaluar skuadrën e tij në avantazh 1-0.
Bavarezët vazhduan të dominojnë edhe në pjesën e dytë.
Në minutën e 54-t, sërish Harry Kane realizoi një supergol nga distanca, duke dyfishuar epërsinë.
Vetëm dy minuta më vonë, Lennart Karl shfrytëzoi një asistim të bukur dhe dërgoi topin në rrjetë për 3-0.
Spektakli ofensiv i vendasve vazhdoi në minutën e 70-të, kur Luis Diaz realizoi një gol të jashtëzakonshëm pas një depërtimi individual, duke e çuar rezultatin në 4-0.
Atalanta arriti të shënojë golin e nderit në minutën e 85-të me Lazar Samardzic, i cili shënoi me kokë pas një krosimi të saktë, por kjo nuk mjaftoi për të ndryshuar rrjedhën e sfidës.
Deri në fund, Bayerni menaxhoi qetësisht lojën dhe ruajti avantazhin e thellë, duke vulosur një tjetër paraqitje dominuese.
Me këtë fitore, gjiganti gjerman kalon me meritë në çerekfinale, duke konfirmuar statusin e një prej favoritëve kryesorë për triumfin në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/





