Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka reflektuar mbi fitoren bindëse 3-0 ndaj Chelsea në ndeshjen e kthimit të raundit të 16-tave në Liga e Kampionëve.
Kampionët në fuqi të Evropës dominuan plotësisht përballjen në të dyja sfidat, pasi në ndeshjen e parë kishin fituar 5-2, duke siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 8-2 drejt çerekfinaleve.
“Përsosmëria në futboll nuk ekziston, por duhet të them se ndeshja e parë ishte e vështirë, shumë e vështirë, veçanërisht 80 minutat e para,” u shpreh Enrique.

Ai theksoi se pas avantazhit të krijuar në takimin e parë, skuadra e tij arriti të ruajë nivelin dhe disiplinën taktike edhe në ndeshjen e dytë.
“Pas atij rezultati (5-2), arritëm ta ruanim nivelin tonë gjatë gjithë ndeshjes së sotme. Ndeshja e dytë ishte ndryshe: ishim shumë të saktë në kundërsulm dhe shënuam dy gola që në fakt vendosën gjithçka”, shtoi trajneri spanjoll.
Sipas tij, çelësi i suksesit ndaj një kundërshtari të fortë si Chelsea ishte balanca mes posedimit të topit dhe kundërsulmeve.
“Ndeshje si këto janë gjithmonë të vështira për t’u kontrolluar sepse Chelsea është një ekip i shkëlqyer që kërkon të shënojë shpejt. Mbajtja e topit nuk është e lehtë, por ekuilibri midis kundërsulmeve dhe posedimit ishte çelësi. Mbrojtja përmes kontrollit të topit është një nga objektivat tanë kryesorë. Sot luajtëm me cilësi të shkëlqyer dhe e merituam fitoren,” theksoi ai.
Në fund, Enrique foli edhe për respektin që PSG po fiton në arenën evropiane.
“Të gjithë, veçanërisht ata që luajnë në Ligën e Kampionëve, na respektojnë sepse e kuptojnë llojin e futbollit që po përpiqemi të luajmë. Ne e ndiejmë këtë respekt dhe është një ndjenjë e mirë. Është e mrekullueshme të jesh pjesë e kësaj skuadre; mezi presim raundin tjetër”, përfundoi ai.
Në çerekfinale, Paris Saint-Germain do të përballet me fituesin e çiftit mes Liverpool dhe Galatasaray. /Telegrafi/





