Arrestohet 40 vjeçari pasi qëllonte me armë zjarri, duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre, në Maliq.
Sipas një postimi të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se pos 40 vjeçarit është arrestuar dhe një shtetas grek.
“Në pranga edhe një shtetas grek, që ishte bashkë me 40-vjeçarin. Sekuestrohen arma e zjarrit tip kallashnikov, municion luftarak, fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Orman, një shtetas po qëllonte me armë zjarri, duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje”, thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se si ri rezultat i veprimeve të shpejta dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Policisë lokalizuan, neutralizuan dhe vunë në pranga shtetasin K. A., 40 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.
“Në vendngjarje u sekuestruan arma e zjarrit tip kallashnikov dhe municion luftarak. Gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë, për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’, edhe shtetasi grek D. P., 48 vjeç, banues në Athinë, i cili ishte bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ai qëllonte me armë zjarri”. /Telegrafi/






