Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka lansuar aplikacionin për deklarimin e adresës për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës.
Ky aplikacion mund të shkarkohet në telefonat mobil përmes dy sistemeve operative, Android dhe iOS.
Përveç aplikacionit, deklarimi i adresës mund të bëhet edhe përmes platformës online në ueb-faqen e Policisë së Kosovës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, lansimi i këtij aplikacioni është pjesë e angazhimeve për digjitalizimin e shërbimeve dhe ndjekjen e zhvillimeve teknologjike, duke synuar lehtësimin e procedurave për shtetasit e huaj që vizitojnë vendin.
“Aplikacioni është i thjeshtë dhe i lehtë për t’u përdorur dhe përmban rubrikat e nevojshme që shtetasit e huaj duhet t’i plotësojnë për periudhën e qëndrimit të tyre në Kosovë. Deklarimi i adresës brenda tre ditëve nga hyrja në Republikën e Kosovës është obligim ligjor për të gjithë qytetarët e huaj”, thuhet në njoftim.
Nga MPB theksohet se institucionet do të vazhdojnë përpjekjet për digjitalizimin e shërbimeve, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi t’i kryejnë obligimet e tyre online, pa pasur nevojë për paraqitje fizike në institucione. /Telegrafi/
