Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm të Kenan Yildizit nga Torino, pavarësisht interesimit të raportuar nga Arsenali.
Në ditët e fundit është raportuar se “Topçinjtë” mund të jenë të gatshëm të bëjnë një ofertë të madhe për 21-vjeçarin, me shifrën prej rreth 100 milionë eurosh që është përmendur si vlerë e mundshme e transferimit.
Megjithatë, Spalletti nuk duket aspak i shqetësuar nga këto raportime dhe ka bërë të qartë se dëshiron që ylli turk të vazhdojë karrierën në Juventus.

“Jam plotësisht i qetë, sepse të punosh me Yildizin është e lehtë për mua. Mund të ofrojnë çfarëdo shume që duan, unë e dua Yildizin këtu dhe gjithmonë do ta aktivizoj”, deklaroi Spalletti.
Trajneri italian e vlerësoi lart edhe karakterin e 21-vjeçarit, duke theksuar se ai është i pjekur dhe nuk ka nevojë të nxitojë në vendimet për të ardhmen.
Spalletti insistoi se e ardhmja e Yildizit është e rëndësishme për Juventusin pavarësisht interesimit nga klubet e tjera.
“E ardhmja e tij është tashmë e rëndësishme duke qëndruar te Juventusi, jo sepse ka klube të tjera që duan të shpenzojnë 100 milionë euro për të”, shtoi ai.
Sipas trajnerit të Juventusit, klubi dhe tifozët janë të bindur se Yildizi ka potencial për t’u shndërruar në një prej yjeve të mëdhenj të futbollit.
“Jemi të gjithë të bindur se mund ta shfaqim potencialin e plotë të Kenanit. Ai është një talent që mund të bëhet fenomen në futboll. Edhe tifozët janë të bindur për këtë”, përfundoi Spalletti./Telegrafi/





