Ofendimi ndaj gjyqtarëve i kushton shtrenjtë, Pajaziti merr pezullim në Kroaci

Mesfushori shqiptar i Hajduk Split, Adrion Pajaziti, është pezulluar me tre ndeshje pas incidentit që ndodhi në fund të ndeshjes çerekfinale të Kupës së Kroacisë kundër Rijekës, të cilën skuadra nga Spliti e humbi me rezultatin 3-2 javën e kaluar.

Pajaziti u përjashtua në minutën e 21-të të kohës shtesë, menjëherë pasi Gabriel Rukavina realizoi golin që përmbysi rezultatin në favor të Rijekës.

Gjatë festimeve të ekipit vendas dhe kaosit në tribuna, sipas procesverbalit zyrtar, mesfushori e tërhoqi për krahu gjyqtarin e katërt Oliver Romic dhe më pas fyeu ekipin e gjyqtarëve të udhëhequr nga gjyqtari kryesor Patrik Kolaric.

Kartoni i kuq që ai mori në atë moment u transferua automatikisht edhe në ndeshjen e radhës së Hajdukut kundër Dinamo Zagreb, pavarësisht se bëhej fjalë për një kompeticion tjetër.

Tashmë është konfirmuar se Pajaziti do të mungojë në ndeshjen e kampionatit kundër Lokomotivës në Split, e cila zhvillohet të dielën në orën 15:00, si dhe në përballjen jashtë fushe ndaj Vukovarit më 21 mars në stadiumin Gradski vrt.

Nëse nuk ka ndryshime të tjera, Pajaziti pritet të rikthehet në dispozicion të skuadrës vetëm pas pushimit ndërkombëtar, kur Hajduku do të luajë në udhëtim kundër Istrës në fillim të muajit prill.

Mesfushori shqiptar i lindur në Londër ka zhvilluar 29 paraqitje me Hajdukun këtë sezon. /Telegrafi/