Sekuestrohen cigare pa banderola në garazhin e një shtëpie në Prishtinë me vlerë prej rreth 15 mijë euro

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, pas pranimit të një informate përmes rrugëve operative dhe pas marrjes së autorizimit për ndërmarrjen e veprimeve nga Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë realizuar një kontroll në garazhin e një shtëpie në Prishtinë.

Sipas një njoftimi për media thuhet se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 44 pako cigare pa banderola, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës.

Tutje bëhet e ditur se vlera e përgjithshme e këtyre cigareve vlerësohet të jetë rreth 15,000 euro, ndërsa shmangiet nga pagesa e taksave dhe detyrimeve doganore llogariten të jenë mbi 30,000 euro.

“Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, personi i dyshuar – njëkohësisht pronar i mallit – është intervistuar lidhur me rrethanat e rastit, ndërsa malli i gjetur është konfiskuar. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm, duke bashkëpunuar ngushtë me organet e drejtësisë për trajtimin e rasteve të tilla”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/