Dinamo Zagreb fiton ndaj Hajduk Split dhe shkon në epërsi prej 10 pikësh, Ron Raçi luan 90 minuta

Dinamo Zagreb ka triumfuar me rezultat 3-1 në transfertë ndaj rivalit të madh Hajduk Split në derbin e javës së 25-të të SuperSport HNL, të zhvilluar në stadiumin Stadion Poljud.

Falë kësaj fitoreje, Dinamo kryeson renditjen me 57 pikë, duke krijuar një diferencë prej 10 pikësh ndaj Hajdukut që mban vendin e dytë.

Dinamo kaloi në epërsi shumë herët, në minutën e 7-të, kur Miha Zajc realizoi për 0-1. Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 11-të, Gabriel Vidović dyfishoi epërsinë. Pas një tollovie në zonën e Hajdukut, sulmuesi i Dinamos u gjend më mirë dhe nga rreth dhjetë metra shënoi për 0-2.

Hajduku reagoi dhe në minutën e 28-të arriti të ngushtojë rezultatin. Pas një krosimi nga Simun Hrgovic dhe një goditjeje që përfundoi në shtyllë, topi i kthyer u shfrytëzua nga Rokas Pukstas, i cili realizoi për 1-2.

Megjithatë, Dinamo riktheu epërsinë prej dy golash në minutën e 38-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Luka Stojkovic dha një pasim në thellësi për Bakrarin, i cili shpëtoi nga mbrojtja dhe shënoi për 1-3.

Në pjesën e dytë, Hajduku u përpoq të merrte kontrollin e lojës dhe e shtyu Dinamon në gjysmën e saj, por nuk arriti të krijojë raste të pastra për gol.

Në anën tjetër, Dinamo pati një mundësi të mirë rreth minutës së 60-të nga një ndërprerje, por goditjet e Dion Drena Beljo dhe Vidović u bllokuan nga mbrojtja vendase.

Rreth minutës së 80-të loja u ndërpre për disa minuta për shkak të tymit të krijuar nga flakadanët e tifozëve të Dinamos në tribunën jugperëndimore të stadiumit. Ndeshja rifilloi pas rreth shtatë minutash.

Në minutat e fundit Hajduku pati një tentim të rrezikshëm me Dario Melnjak, por goditja e tij me kokë nuk gjeti portën.

Ron Raçi luajti gjithë ndeshjen për Hajdukun, ndërsa Arbër Hoxha nuk u fut fare për Dinamo Zagrebin, duke i kaluar 90 minutat në stol.

Në fund, Dinamo ruajti epërsinë dhe bëri një hap shumë të madh drejt titullit të 26-të kampion në historinë e klubit. /Telegrafi/