Musliu nderon sakrificën e familjes Jashari me homazhe në Prekaz

Kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu, ka qëndruar sot në Prekaz, ku ka bërë homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari.

Gjatë vizitës, ai vendosi lule pranë varrit të Adem Jasharit, duke nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit. Musliu vizitoi gjithashtu edhe Kullën e Jasharajve, një nga simbolet më të fuqishme të rezistencës dhe sakrificës për liri.

Në kuadër të kësaj vizite, ai u takua edhe me Rifat Jasharin. Takimi u zhvillua në një atmosferë respekti dhe reflektimi për sakrificën historike të familjes Jashari dhe të luftës për liri.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Musliu theksoi rëndësinë e kujtimit të atyre që dhanë jetën për lirinë.

“Sot përulemi me zemër para atyre që dhanë gjithçka për ne. Ata lanë ëndrrat, jetën dhe gjakun e tyre në këtë tokë, që ne sot të marrim frymë të lirë. Lavdi përjetë atyre që nuk kursyen asgjë për ne”, ka shkruar ai.