Komediani dhe aktori britanik, Russell Brand, është shpallur fajtor për përdhunim dhe sulm seksual nga një juri në Londër, pas më shumë se tri javësh gjykim në Gjykatën Mbretërore të Southwark.
Brand, 51-vjeçar, i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat gjatë procesit gjyqësor.
Vendimi u mor në ditën e tretë të deliberimit të jurisë, e cila ishte tërhequr për konsultime të martën, më 3 nëntor.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur se për cilat pika të aktakuzës është shpallur fajtor dhe për cilat mund të jetë liruar nga përgjegjësia.
Brand përballej me shtatë akuza, tri për përdhunim, tri për sulm seksual dhe një për tentim të sulmit të pahijshëm.
Akuzat lidhen me gjashtë gra dhe ngjarje që pretendohet se kanë ndodhur nga viti 1999 deri në vitin 2009.
Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë, aktori pranoi se në rininë e tij kishte qenë i fiksuar pas seksit, por mohoi të kishte kryer veprat për të cilat akuzohej.
Ai gjithashtu deklaroi se akuzat kishin pasur ndikim shkatërrues në jetën e tij.
Nga ana tjetër, mbrojtja pretendoi se marrëdhëniet kishin qenë me pëlqimin e të dyja palëve, duke vënë në pikëpyetje edhe dëshmitë e grave.
Hetimet ndaj Brand nisën në shtator të vitit 2023, pasi akuzat ndaj tij u publikuan fillimisht nga gazeta “The Times” dhe emisioni investigativ “Dispatches” i Channel 4. Ai u akuzua zyrtarisht në prill të vitit 2025.
Data e shqiptimit të dënimit ende nuk është bërë e ditur. Sipas udhëzimeve të sistemit britanik të drejtësisë, dënimi për përdhunim mund të variojë nga katër deri në 19 vjet burgim, ndërsa në rastet më të rënda mund të shqiptohet edhe burgim i përjetshëm. /Telegrafi/