Demir Xhemalija, ylli i ri që e la Zvicrën për Kosovën: Vendosa me zemër, do të jap maksimumin

Sport

Edhe një tjetër yll i është bashkuar Kosovës. Bëhet fjalë për mesfushorin e talentuar Demir Xhemalija, i cili i ka kthyer përgjigje pozitive përzgjedhësit Hekuran Kryeziu. Xhemalija gjithnjë ka qenë ndër lojtarët më të vlerësuar në Zvicër, aty ku përfaqësoi secilën grupmoshë – nga U16 deri tek U20, e ndër të tjera edhe mbajti shpesh […]

Madhësia e shkronjave

Edhe një tjetër yll i është bashkuar Kosovës. Bëhet fjalë për mesfushorin e talentuar Demir Xhemalija, i cili i ka kthyer përgjigje pozitive përzgjedhësit Hekuran Kryeziu.

Xhemalija gjithnjë ka qenë ndër lojtarët më të vlerësuar në Zvicër, aty ku përfaqësoi secilën grupmoshë – nga U16 deri tek U20, e ndër të tjera edhe mbajti shpesh shiritin e kapitenit.

Megjithatë, dashuria e madhe për vendin e tij, bëri që talenti të ndjek zemrën dhe të zgjedhë përfundimisht të përfaqësojë “Dardanët” në nivelin ndërkombëtar.

Për herë të parë, 20-vjeçari është rrëfyer në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ku konfirmoi se vendimi nuk ishte i lehtë shkaku i asaj që i ka dhënë Zvicra, por në fund zemra i tha se duhet të luajë për Kosovën.

“Do të thotë shumë për mua. Kam rrënjë nga Kosova, prindërit e mi janë rritur atje dhe familja ime është me origjinë nga Kosova”.

Credits: FC Luzern

“Natyrisht, nuk ishte një vendim i lehtë. Kam kaluar pothuajse nëpër të gjitha grupmoshat e Kombëtares së Zvicrës dhe kam pasur gjithashtu mundësinë të mbaj përgjegjësi si kapiten”.

“E kam menduar mirë këtë hap së bashku me njerëzit e afërt. Në fund, ishte një vendim që e mora me zemër. Në të njëjtën kohë, i jam shumë mirënjohës Zvicrës për gjithçka dhe do t’i jem gjithmonë”.

I pyetur për objektivat me Kosovën U21, ylli në ngritje te Luzerni shtoi se fillimisht mezi pret të njihet me bashkëlojtarët e tjerë, pastaj të jep maksimumin për ta ndihmuar sa më shumë ekipin.

“Fillimisht, fokusi im është që të përshtatem sa më shpejt me ekipin dhe t’i njoh të gjithë. Më pas, dëshiroj të vazhdoj të përmirësohem, të zhvillohem si futbollist dhe të jap maksimumin për ekipin çdo ditë”.

Credits: FC Luzern

Xhemalija përndryshe ka synime të qarta edhe me Luzernin, ku konfirmoi se objektivi kryesor është të zërë vendin në ekipin e parë dhe të zhvillojë sa më shumë minuta në elitën e futbollit zviceran.

“Synimi im është të vazhdoj të zhvillohem, të bëj hapin e radhës në karrierën time dhe të krijoj vendin tim në Superligën e Zvicrës”.

“A je gati për debutim në Superligën e Zvicrës? Natyrisht, ndihem gati dhe do të isha shumë i lumtur të fitoja minuta në Superligë. Në të njëjtën kohë, e di se jam ende i ri dhe se puna e palodhshme në stërvitje, si dhe përvoja e rregullt në ndeshje, janë thelbësore për zhvillimin tim”.

“Jam i bindur se kjo punë e palodhshme do të shpërblehet një ditë. Prandaj, luaj aty ku ka nevojë ekipi dhe gjithmonë jap maksimumin”, nënvizoi ai për Telegrafin.

Credits: FC Luzern

Këtë edicion, ai me ekipin e dytë të Luzernit ka zhvilluar tetë paraqitje, ku përpos pozitës primare si mesfushor me tipare defansive është përdorur edhe si mbrojtës i krahut të djathtë dhe qendërmesfushor.

Përndryshe, Xhemalija pritet të jetë pjesë e Kosovës U21 duke nisur nga grumbullimi i ardhshëm./Telegrafi/

Komentet