KB Peja ka zyrtarizuar emërimin e Bosko Radovicit në postin e kryetrajnerit të skuadrës. Trajneri malazez vjen në Pejë me përvojë të madhe ndërkombëtare, pasi për gjashtë vjet ishte në krye të Malit të Zi.
Nën drejtimin e Radovicit, Mali i Zi përfundoi në vendin e 11-të në Kampionatin Botëror të FIBA-s në vitin 2023, ndërsa në EuroBasket 2022 arriti deri në fazën e eliminimit direkt, duke u renditur në mesin e 16 përfaqësueseve më të mira të Evropës.
Radović e udhëhoqi gjithashtu Malin e Zi në gara të nivelit të lartë ndërkombëtar, ndërsa në karrierën e tij ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj përfaqësueseve si Franca, Greqia, Lituania dhe Sllovenia.
Me përvojën e tij në basketbollin ndërkombëtar dhe njohuritë taktike, KB Peja shpreson që trajneri i ri ta ndihmojë skuadrën të arrijë objektivat e saj sportive dhe të luftojë për suksese të reja.
“Bosko, po vjen në Pejë për suksese të reja!”, thuhet në njoftimin e klubit pejan, i cili e ka shoqëruar prezantimin me moton: “Zemra rreh me ty!”, shkruan faqja e klubit. /Telegrafi/






