Tensionet dhe përplasjet janë riaktivizuar në protestën e studentëve dhe gjimnazistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku policia ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Protestuesit fillimisht ishin të ndarë në dy grupe, njëri pranë Kryeministrisë dhe tjetri te Parku Rinia. Situata u tensionua pas mbërritjes së disa të rinjve të maskuar, të cilët u pozicionuan në krye të protestës.

Më pas, turma u zhvendos drejt Kryeministrisë, ku protestuesit iu bashkuan grupit tjetër. Ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës shkaktoi tërheqjen e protestuesve, të cilët më pas u drejtuan nga sheshi “Skënderbej”.
Ndërkohë, forca të Gardës së Republikës janë pozicionuar edhe në tarracën e Ministrisë së Brendshme, në kuadër të masave të sigurisë gjatë protestës.
Përplasje janë regjistruar edhe në korpusin e ministrive, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese.
Situata në kryeqytet mbetet e tensionuar, ndërsa protesta vijon mes përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit./Telegrafi.





